Parlamenti i Shqipërisë votoi për të mos i dhënë Prokurorisë leje për të arrestuar deputetin socialist Saimir Tahiri.
Mazhoranca votoi me 75 vota pro raportin e saj që i lejon Prokurorisë vetëm të kontrollojë banesën e ish-ministrit të Brendshëm.
Gjatë votimit nuk pati asnjë surprizë, por vetë Saimir Tahiri nuk mori pjesë. Në fillim të seancës vetë deputeti Tahiri para se të linte sallën tha se mirëpriste çdo vendim, raporton Tch.
Ndërkohë, në fjalën e saj pas votimit, Monika Kryemadhi tha se ka votuar pro arrestimit të ish-ministrit Saimir Tahirit. Gjatë fjalës së saj, ajo akuzoi mazhorancës se nuk është në gjendje që të shkëputet nga krimi dhe se po e lejon bandat që të vazhdojnë aktivitetin e tyre.
“Sot treguat që nuk shkëputeni sot nga krimi dhe me votën tuaj treguat se i jepni shanse krimit dhe drogës. Treguat që keni frikë nga e vërteta dhe që jeni peng i krimit dhe i trafikut të drogës. Sipas Komisionit të Venecias, thuhet se Këshillimi i Mandateve nuk shqyrton provat, por veprimi tregon se mazhoranca nuk do që të realizojë reformën në drejtësi dhe ta kthejë atë në një vegël të trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar. I themi punë të mbarë të gjitha bandave, por jam e bindur që shqiptarët janë të neveritur nga shfaqjet hipokrite që bëni dhe se si bandat kriminale po drejtojnë vendin”, tha Kryemadhi.