Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth procesit të balotazhit në Prishtinë.
Sejdiu ka thënë se kanë fitoren më të madhe në Prishtinë dhe se kanë rritje të numrit të asamblistëve në Kuvend Komunal.
“Kemi qenë në garë me gjashtë persona dhe kundër një makinerie të madhe që vazhdimisht e kritikonte kryetarin, por pavarësisht kësaj kemi pasur rritje”, tha Sejdiu, duke theksuar se në listën e asamblistëve të LDK-së vazhdojnë të jenë po të njëjtit Sami Hamitat që deri në vitin 2013-të e kanë sjellë Prishtinën në katrahurë.
I pyetur rreth bashkëpunimeve të mundshme me ndonjërin nga subjektet politike si AAK, AKR, PDK dhe LB, Sejdiu tha se vazhdojnë të jenë të hapur për AAK-në dhe AKR-në.
“Kemi pasur bashkëpunim me AAK-në dhe AKR-në dhe jemi të vullnetshëm dhe të hapur që të vazhdojmë bashkëpunimin, në mënyrë që Kuvendi Komunal të mos bllokohet më prej 20 personave”, theksoi Sejdiu.
Ai u shpreh i bindur në fitoren e VV-së me Shpend Ahmetin në Prishtinë.