Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Junchker, ka vlerësuar se katalonasit nuk janë të shkelurit e Spanjës si dhe situata në të cilën gjenden nuk mund të krahasohet me atë të ish-Jugosllavisë
“Në Katalonjë nuk ekziston problemi i shkeljes së të drejtave të njeriut, sepse katalonasit, të cilët i kam shumë për zemër dhe kulturën e të cilëve e respektoj, nuk janë nën represion të Spanjës. Nuk mund të tërhiqet paralelja me Slloveninë dhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë, me atë se çfarë po ndodh në Katalonjë”, ka thënë Juncker për televizionin portugez RTP.
Juncker ka shtuar se “nuk e do nesër, pasnesër BE-në me 95 vende të ndryshme”.
“Do të humbnim kontrollin. Uniteti kombëtar dhe uniteti evropian janë gjëra të cilat shkojnë së bashku”, ka thënë Juncker me çka edhe një herë hedh poshtë mundësinë e ndërmjetësimit në konfliktin në mes Barcelonës dhe Madridit, transmeton Gazetametro.net.
Senati spanjoll sot do të votojë mbi masat të cilat i ka propozuar kryeministri Mariano Rajoy mbi shpërbërjen e qeverisë së Katalonjës dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në afat prej gjashtë muajsh.
Me këto masa do të nënkuptohej se ministritë spanjolle, gjatë gjashtë muajve, deri te organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në Katalonjë, do të udhëhiqnin me policinë katalonase, financat, mediet publike, telekomunikacionet si dhe me shërbimet informative.
Parlamenti katalonas, gjatë kësaj periudhe nuk do të mundë të anulonte këto masa e as të propozonte presidentin e ri të qeverisë rajonale.
“Situata pak ka dalë prej kontrollit, sepse qeveria dhe një pjesë e parlamentit kanë dalë jashtë kornizës ligjore. Kushtetuta e Spanjës është e qartë, nuk mund të organizohen referendumet për shkëputje”, ka thënë Juncker.
Ai ka shtuar se Evropa nuk ka asnjë rol në konfliktin në mes të Barcelonës dhe Madridit.
“Spanjollët janë ata të cilët duhet ta zgjidhin këtë problem”, ka porositur Juncker.