Fillim i qetë dhe me kohë i ditës zgjedhore në 35 komunat ku po realizohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale vërejnë vëzhguesit e shoqatës civile Civil-Qendra për liri.
Këtë sot në konferencë shtypi e theksoi kryetari i shoqatës civile Civil-Qendra për liri Xhabir Deralla, i cili tha se në fillim të ditës zgjedhore nuk shënohen parregullsi më të mëdha.
“Deri tani nuk është shënuar me përdorimin e spejit për shënim të votuesve ose UV llambën. Përkundër fillimit të qetë dhe të rregullt të ditës zgjedhore, vëzhguesit e Civil dorëzuan pesë raporte për parregullsi. Në fshatin Trubarevë, komuna Gazi Babë notohet shkelje e heshtjes zgjedhore dhe agjitim nga shtabi zgjedhor i një partie politike, ku po bëhet edhe evidencë e votuesve”, tha Deralla.
Theksoi se nga vëzhguesit e tyre në komunën Shuto Orizarë kanë raport për transport të organizuar të cilin po e realizon një ish-zëvendësministër nga pushteti i kaluar. Transporti, theksoi, është realizuar me automobila dhe me një furgon, targat e të cilit janë shënuar.
“Gjithashtu, në Shuto Orizarë në shkollën ’26 Korriku’ notohen dy raste të votimit familjar. Në Shtip një polic ka kërkuar nga një vëzhgues i akredituar i Civilit që të largohet nga vendi i cili ndodhej jashtë vendvotimit. Edhe pse në mënyrë të drejtë i ka prezantuar dhe i ka treguar të gjithë dokumentet e nevojshme i është thënë që të largohet nga ai lokacion”, tha Deralla dhe shtoi se në shkollën “26 Korriku” ka pasur fotografim të fletëvotimit dhe personi është arrestuar nga policia.