Ligji u garanton mbulimin e shpenzimeve për avokatë personave të akuzuar. Po ashtu, ai u siguron mbulimin e shpenzimeve edhe familjarëve të tyre gjatë vizitave që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Për mbulimin e këtyre shpenzimeve Qeveria e Kosovës, sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ndarë 1.5 milionë euro.
“Ky ligj i mbulon shpenzimet e familjarëve të tyre që kanë të bëjnë me udhëtimet e tyre, sepse kemi të bëjmë me një gjykatë që tashmë ekziston jashtë Kosovës. U garantohet e drejta që t’i vizitojnë familjarët e tyre që janë të akuzuar në këtë proces. Po ashtu, na obligon që të kompensojmë edhe mbrojtjen e tyre që duhet t’u ofrohet”.
“Ndërsa, në momentin që ata shpallen të pafajshëm, ligji parasheh edhe kompensimin tyre, me një shumë të caktuar financiare, por tashmë nuk mund të flas se sa do të jetë dhe si do të jetë”, ka thënë ministri Tahiri për Radion Evropa e Lirë.