Ishte vetë presidenti Hashim Thaçi, ai që kiBEshte ngrehur zërin kundërshtues i pari duke thënë se nuk është çudi për askënd në Serbi, por do të duhej të ishte shqetësuese për çdokënd në BE-ne dhe shtetet anëtare të saj.
Duke aluduar te krimineli Vlladimir Llazareviq, presidenti Thaçi kishte thënë se ai do t’i mësojë gjeneratat e ardhshme jo vetëm si t’i urrejnë popujt tjerë jo serbë në Ballkan, por si ta urrejnë edhe NATO-n dhe BE-në.
“Ligjëruesi do të kujdeset që dijen dhe përvojën e tij kriminale dhe gjenocidiale ta përçojë tek gjenerata e ardhshme. Tani mbetet të shihet se si do ta përshpejtojë apo ngadalësojë një veprim i tillë anëtarësimin e Serbisë në BE”, kishte thënë Thaçi.
Por, pa kaluar shumë ditë nga reagimi i Thaçit, kundër Llazareviqit ka reaguar edhe vetë Bashkimi Evropian.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Serbinë se emërimi i një gjenerali, i cili ka qenë i dënuar për krime lufte, si ligjërues i një akademie ushtarake, është kundër parimeve të BE-së, ku Serbia synon të anëtarësohet.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, ka thënë përmes një deklarate se blloku pret që “udhëheqësit politikë të respektojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor”.
“Liderët politikë duhet t’i udhëheqin të gjitha përpjekjet për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur besimin e ndërsjellë, dialogun dhe tolerancën”, tha Kocijançiq.
“Serbia, si vend kandidat për BE-në, nuk mund të devijojë nga këto parime. Emërimi i një krimineli të dënuar për krime lufte në Akademinë Ushtarake të Serbisë është kundër këtyre parimeve”, shtoi Kocijançiq.
Llazareviq ka mbajtur ligjëratën e parë në akademi javën e kaluar. Ligjërata është titulluar: “Heroizmi dhe humanizmi i ushtarëve serbë në mbrojtjen kundër agresionit të NATO-s”. /Lajmi.net/