Gjykata e Elbasanit caktoi masën arrest me burg për shtetasin Orest Sota, i cili në datën 1 nëntor, në rrugën nacionale në fshatin Balldren, u kap pa leje drejtimi me mjetin “Land Rover” dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe bllokuan një sasi e madhe eurosh, të cilat do t’i përdorte për likujdimin e faturave, por të pashoqëruar me dokumentin e origjinës.
Gjykata la në fuqi kërkesën e prokurorisë “arrest me burg” për Orest Sotën, i cili, sipas Lulzim Bashës, duke iu referuar “burimeve të sigurta”, është ndaluar nga një postbllok i policisë me dy dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahirit.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se “burime të sigurta informojnë se e gjithë shuma prej 800 mijë euro është e Sajmir Tahirit, ashtu si dy patentat për drejtim mjetesh lundrimi të tonazhit 20 deri 100 ton”.
“Njëri prej këtyre mjeteve lundruese u zhvendos nga Porti i Durrësit, më 19 tetor, dy ditë pasi dolën përgjimet e Habilajve. Orest Sota ka mohuar njohjen me Tahirin, ndërkohë që rezulton se me këtë makinë kanë lëvizur disa herë jashtë shtetit bashkë. Me urdhër të Çakos dhe Fatmir Xhafës dhe me porosi të Edi Ramës është fshehur nga njoftimi paraprak i policisë, shuma e parave dhe kapja e dy lejeve të drejtimit për mjete lundruese 20 dhe 100 ton, në emër të Sajmir Tahirit”, deklaron Basha, raporton Top Channel.
Avokati i Orest Sotës kërkoi hetim në gjendje të lirë për klientin e tij.