Sakte.net / e Hënë 19 Shtator / 12:23
Policia e Kosovës nuk po lejon 130 familje që jetojnë në një objekt banesor në lagjen “Dardania” në Prishtinë që të qëndrojnë në banesat ku banonin për arsyen se Ndërmarrja Banesore duke cituar vendimin e Gjykatës se këto banesa janë të uzurpuara, ka marrë vendimin për lirimin e banesave.
Mësohet se policia u ka dhënë afat banorëve 10 minuta të largohen në të kundërtën do të hyjnë me forcë.
Banorët e banesave të bllokut të ri në lagjen Dardania kanë bllokuar hyrjen e këtij blloku pasi që nuk duan t’i lirojnë banesat. Banorët thonë se nuk kanë ku tjetër të shkojnë.
Gjykata ka vendosur që nga sot ata t’i lirojnë banesat e tyre pasi që Ndërmarrja Banesore pretendon se është e tyre.
Por banorët kërkojnë një marrëveshje nga komuna dhe NPB që t’ua shes ato pasi që kanë investuar vetë.
Objekti ishte ndërtuar në vitet e nëntëdhjeta dhe ishte dedikuar për refugjatët serbë nga Bosnja.
Banorët thonë se lënda është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që t’u njihet e drejta e tyre.
Ata kanë organizuar një peticion prej 10 mijë nënshkrime në mënyrë që të kërkojnë që ata mos të flaken në rrugë. Gjykata ka konstatuar se banesat janë të uzurpuara./rtv21