Një licencë e varur në hollin e klinikës “Medicus” dhe fjalët e menaxhmentit të asaj klinike, se kanë licencë për të zhvilluar punën e tyre, i mjaftoi urologut Tunë Pervorfi të bëhet bashkëpronar në këtë klinikë famëkeqe, në të cilën po dyshohet se janë bërë transplante ilegale të veshkave. Për licencën e varur në murin e hollit të klinikës, Pervorfi të martën dëshmoi se në të nuk ka pasur detaje të shkruara, por vetëm se është ditur se është licencë që iu jep të drejtë mjekëve për ta zhvilluar veprimtarinë e tyre
Tunë Pervorfi punoi për 5 vite në “Medicus” dhe të martën dha dëshminë e tij para trupit gjykues të EULEX ku tregoi për raportet që i pati me drejtorin e kësaj klinike, Lutfi Dervishi, i cili tashmë gjendjet në burg pasi akuzohet se ka bërë transplantim ilegal të veshkave, kryesisht me pacientë të huaj.
Të pranishëm në seancën e së martës, ishte edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, e që deri tani në gjykimet e mëhershme nuk ka qenë. Megjithatë, ajo nuk pati ndonjë pyetje për dëshmitarin, urologun Pervorfi, por vetëm dëgjoi me vëmendje dëshminë e tij. Të pranishëm si çdo herë ishin edhe Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini.
Bashkë me Lutfi Dervishi në këtë klinikë private ka punuar edhe Tunë Pervorfi, i arrestuar bashkë me Dervishin në nëntorin e viti 2008, atëherë edhe kur nisi hetimi për trafikim ndërkombëtar të veshkave, i njohur si “Medicus”. Sot, nëntë vjet pas, Tunë Pervorfi sërish ulet në bankën e dëshmitarit, nga ku e mbështeti dëshminë e tij të parë që e dha më 2011.
Pervorfi tregoi se gjatë kohës kur ishte bashkëpronar në Medicus me Lutfi Dervishin, kishte punuar në katin e përdhes të kësaj klinike, aty ku ishte sektori i urologjisë. Punoi nga viti 2003 deri në vitin 2008 në Medicus.
Urologu Pervorfi tha se në përdhesen e klinikës, ai ishte bashkëpronar, ku kryesisht kanë bërë ndërhyrje kirurgjikë të vogla të urologjisë, të tipit: hidrocil, varikocil, hernia dhe prostatë.
Ai tha se operacionet janë kryer nga vetë ai dhe nga urologu Lutfi Dervishi, kurse ekipin e anesteziologëve e përbënin anesteziologu Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi. Më 17 tetor, mjeku Tefik Bekteshi gjithashtu kishte përmendur këta anesteziologë që ishin pjesë e ekipit së operacioneve, dëshminë e të cilit Gazeta Express e ka përcjellë me vëmendje.
Pervorfi dëshmoi edhe për infermierët që kanë ndihmuar në operacionet e tilla, ku tha se ishte vetëm infermierja Shpresa Makolli e cila ka punuar në dy katet, në përdhes dhe në katin e parë, ku ishin sallat e operacionit dhe kardiologjia.
Për orarin e caktimit të operacioneve, Pervorfi tregoi se e bënë bashkërisht me mjekun Lutfi Dervishi. Ai tha se të gjitha ekipet, ai i anesteziologëve dhe infermierja, janë njoftuar zakonisht 2-3 ditë përpara për natyrën e operacionit. Por, kur dëshmitari u pyet se a është bërë transplantim i veshkave në klinikën ku ai ishte bashkëpronar për 5 vite, u deklarua se nuk di asgjë rreth kësaj çështje, shkruan Gazeta Express.
“As nuk kam dëgju dhe as nuk kam parë ndonjë dokument që tregon se janë bërë transplante”, u përgjigj ai në pyetjen e prokurores së EULEX.
Të dhënat mjekësore për operacionet, Pervorfi tregoi se i kanë mbajtur ekipi që kanë kryer operacionin, por edhe shefi i teknikës, tani i ndjeri, Nexhmedin Statovci.
Ai tha se të dhënat pas operacioneve janë ruajtur në protokollin e klinikës, në letër, dhe iu janë dërguar Statovcit. Mirëpo, ai tha se këto dokumente të futura në protokoll nuk ekzistojnë më pasi pas bastisjes që iu është bërë klinikës në vitin 2008, ato i ka marrë policia.
Ai tregoi se në Medicus ka qenë punëtor me kontratë dhe nuk është marrë me çështjet menaxheriale. Për djalin e Lutfiut, i cili gjendjet në arrati, Arban Dervishi, urologu tha se ai ka qenë kontabilist i katit ku dëshmitari ka punuar.
“Cili ka qenë roli i Arban Dervishit në klinikë?”, pyeti prokurorja dëshmitarin, i cili u përgjigj me shumë siguri “Ai e ka mbajt kontabilitetin”.
Pervorfi tregoi se në vitin 2004, derisa ishte pjesë e Medicusit, kishte udhëtuar për në Berlin në një konferencë. Aty u takua edhe me mjekun Manfred Beer, i cili përmendet si bashkëpunëtor në operacione për transplantim në aktakuzën e prokurorisë së EULEX’it.
“Jam taku rastësisht me mjekun në Berlin. Atë e kam takuar më vonë edhe në Kosovë, ai me sa di ka investuar në Medikus, por punonte në katin e parë”, tha dëshmitari. Për urologun famëkeq, turkun Yusuf Sonmez, Pervorfi tha se nuk e ka takuar asnjëherë atë, por as edhe mjekun tjetër Kenan Demirkoll, për të cilin u pyet nga prokurorja.
Dëshmitari gjithashtu u pyet edhe për Emin Sylajn, për të cilin aktakuza e prokurorisë së EULEX thotë se ai është në marrëdhënie familjare me Lutfi dhe Arban Dervishin dhe ndonjëherë iu ndihmonte atyre duke shkuar në aeroport për të marr pacientët që vinin në klinikë për trajtim mjekësor. Aktakuza thotë se Sylaj në një rast kishte marrë një mjek të Turqisë dhe pacientët, të cilët i ka dërguar në këtë klinikë. Por, për këtë person, urologu Pervorfi tha se nuk ka dijeni se kush është.
Pas pyetjeve të prokurores në adresë të dëshmitarit, as mbrojtja e Lutfi Dervishit, por as përfaqësuesja e palës së dëmtuar nuk patën pyetje për të. Kurse, një pyetje të vetme e pati mbrojtja e anesteziologut Sokol Hajdini.
Avokati i Hajdinit e pyeti dëshmitarin a ndërhynë anesteziologu në plagët e pacientëve, a i hap ato plagë dhe a i mbyllë, e që dëshmitari me plotë bindje tha se kjo nuk është puna e anesteziologut, hapja ose mbyllja e plagëve.
Dëshmitari për klinikën Medicus tha se ishte prezantuar si poliklinikë dhe kanë bërë operacione të vogla, urologjike që konsiderohen të lehta.
Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008./GazetaExpress/