Deputeti Deda kërkon nga Shpend Ahmeti dhe Selim Pacoli të publikojnë marrëveshjen të cilën e arritën sot, e për të cilën nuk u bë e ditur se për çka konkretisht u dakorduan palët.
“Programi dhe implementimi i programit” u përmendën nga Selim Pacolli, si pika kryesore për arritjen e marrëveshjes, por kjo është e gjitha çfarë është bërë e ditur prej AKR’së e VV’së. “Pikat e pajtimit” nuk dihen akoma se cilat janë.
Për këtë, deputeti Ilir Deda, ka kërkuar nga këto dy subjekte që të tregojnë se për cfarë u pajtuan e këtë ta kuptojnë edhe qytetarët.
“A ka mundësi të publikohet marrëveshja VV-AKR për Prishtinën, që t’a dijë çdo qytetar në cilat pika programore ka pasë dakordim të dy partive?”, ka shkruar Ilir Deda në Facebook.
Më parë ishin takuar edhe Rrahim Pacolli me Shpend Ahmetit dhe pas këtij takimi u tha se pozita e nënkryetarit do t’i jepej Rrahimit në rast të ndonjë marrëveshje. Tani koalicioni u arrit por nuk dihet akoma mbi çfarë bazash u formua, e për çka realisht u morën vesh ata.