Kujtim Munishi, Prokurori i Shtetit që po heton dyshimet për dosjen e manipuluar të Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ka demantuar Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri që kishte thënë se hetimi i rastit pritet të përfundojë këtë javë.
Duke folur për Gazetën Express, Kujtim Munishi nuk ka dhënë kohë se sa mund të zgjasë hetimi për dosjen e Jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Rasti është nën hetime dhe ma tutje kurgjo nuk mundem me thanë, derisa hetimet janë duke vazhduar. Do të merret vesh shpejt”, ka deklaruar të premten Munishi.
Ai ka mohuar se rezultatet e hetimit të dalin brenda kësaj jave, siç kishte deklaruar në një intervistë Ministri Abelard Tahiri.
“Jo. Ajo që ka thënë ministri nuk qëndron, hetimet janë ka vazhdojnë”, ka thënë prokurori që po heton ‘Dosjen Lumezi’.
Ndryshe, hetimi i rastit Lumezi që po bëhet nga Prokuroi Kujtim Munishi, është duke u monitoruar edhe nga EULEX. Ministri Europain për Sundim të Ligjit, ndonëse është thirrur nga Lumezi për ta hetuar rastin, ka refuzuar me arsyetimin se nuk ka mandat, por kanë konfirmuar se do ta monitorojnë hetimin.
Për dyshimet se Aleksandër Lumezi ka falsifikuar provimin e Jurisprudencës ka folur i pari Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në ditën kur është dënuar për korrupsion gjatë kohës sa ishte rektor i UP’së, e më pas kanë raportuar edhe dy media të cilat kanë kryer një hulumtim.
Për të dëshmuar në këtë rast, javën që shkoi, nga Gjermania ka ardhur edhe Zymer Tahiri, që sipas hulumtimit i është fshirë emri në dosje të Jurisprudencës për t’u shënuar mbi të emri i Aleksandër Lumezit.
Shpenzimet për udhëtim, atij ia ka paguar shteti i Kosovës, ka raportuar Express të enjten.
Vetë Zymer Krasniqi, që sot ka mbiemrin Tahiri, ka thënë të martën përmes telefonit se nuk ka qenë në dijeni për këtë rast, derisa është publikuar në media. Ai ka mohuar të jetë njohur ndonjëherë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe të jetë i përfshirë në falsifikimin e dosjes së tij të jurisprudencës. 60-vjeçari nga Deçani ka shtuar se nëse ka ndodhur falsifikimi, atëherë ai është kryer nga Komisioni i provimit të Judikaturës.