Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për Prishtinën.
Në njoftimin e LDK-së, thuhet se këto dy parti “kanë përmbyllur marrëveshjen për bashkëqeverisje me qytetarin e komunës së Prishtinës, pas zgjedhjeve të 19 nëntorit bazuar në përputhjen programore, orientimet politike të dy partive të qendrës së djathtë dhe në vizionin për qeverisjen e mirë në komunë”.
“LDK dhe AAK kanë harmonizuar programin qeverisës për qytetin e Prishtinës dhe po dëshmojnë përkushtimin për zbatimin e projekteve në të mirë të qytetarit të komunës. Bashkëqeverisja me qytetarin është thelbi i marrëveshjes dhe LDK e AAK përkushtohen që vizionin për integrimin dhe zhvillimin e qytetit ta bëjnë me transparencë, me qeverisje të mirë dhe llogaridhënëse”, njofton LDK-ja, përcjell Koha.net. “Pajtimi për bashkëqeverisje me qytetarin përmes marrëveshjes është edhe vullnet i përbashkët i anëtarëve dhe strukturave të të dyja palëve, për të avancuar proceset në qytet dhe për të vendosur forcimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet më tej në njoftim.
Nga ana tjetër, Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje kanë lidhur koalicion dhe kanë harmonizuar programin për bashkëqeverisje me AKR-në e Pacollëve.
PDK-ja dhe Lirak Çelaj ende nuk janë deklaruar cilin tabor do ta përkrahin.