Kështu u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën, me ç’rast u bë e ditur se në këtë seancë do të diskutohet mbi 23 pika të rendit të ditës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës prejse është konsituuar ka mbajtur vetëm 4 seanca, duke neglizhuar thuajse tërësisht punën gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale.
E përderisa përfaqësuesit e partive opozitare gjatë ditës së djeshme fajësuan kryetarin e Kuvendit për një gjë të tillë, ky i fundit tha se ishin pikërisht grupet parlamentare të të gjitha subjekteve politike ato që kishin kërkuar që të mos kishte seanca gjatë kësaj periudhe.
Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, duke kritikuar Veselin, tha se arsyeja pse janë grumbulluar aq shumë pika të rendit të ditës ka të bëjë me numrin e vogël të seancave të mbajtura deri më tash.
“Është pikërisht për faktin se janë mbajtur vetëm 2 ose tri seanca prejse janë konsitutuar institucionet. Kjo tregon një papërgjegjshmëri të kryetarit të Kuvendit karshi seancave parlamentare”, deklaroi ajo.
Haxhiu më tej bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë LVV-ja ka kërkuar nga PDK-ja që t’ia lëshojë zyrën (meqë është grupi më i madh parlamentar).
“Çështja tjetër që kemi diskutuar, që e kemi pasur kërkesë, është lëshimi i zyrave të LVV-së nga Grupi Parlamentar i PDK-së. LVV-ja ka kërkuar që PDK-ja t’ia lejojë zyrat grupit më të madh parlamentar, LVV-së. Presim që pas kësaj mbledhjeje të kryesisë të kemi edhe lirimin e zyrave për lëvizjen ‘Vetëvendosje’”, shtoi ajo.
Mirëpo kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se një çështje e tillë mund të zgjidhet shumë shpejt nëpërmjet institucioneve përgjegjëse.
“Krejt çka kam kërkuar është që t’u drejtohen institucioneve përgjegjëse, sepse e qartësojnë për një javë. Por ndoshta u intereson që të merren me kauza”, u shpreh ai.