Fitorja e Listës Serbe rikonfirmon ndikimin e Beogradit

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë, Lista Serbe ka fituar në 10 komuna me shumicë serbe, sa janë gjithsej, duke e bërë këtë subjekt fituesin më të madh në vend të këtyre zgjedhjeve, për sa i përket numrit të komunave.

Përfaqësuesit e Listës Serbe thonë se ky fakt i ka krijuar këtij subjekti politik fuqi, të cilën nuk do ta keqpërdorin në raport me subjektet tjera qoftë serbe, qoftë shqiptare, por do ta shfrytëzojnë për të avancuar jetesën e komunitetit serb. Por, njohësit serbë të zhvillimeve politike, vlerësojnë se ky rezultat i Listës Serbe është produkt i një fushate jodemokratike dhe nuk do të ishte arritur pa mbështetjen absolute të Beogradit zyrtar.

Igor Simiq deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se dominimi i Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare karshi subjekteve tjera serbe, fitorja në zgjedhjet lokale në 10 komunat me shumicë serbe, si dhe arritja e qëllimit që të ketë këshilltarë komunalë në 7 komuna të tjera, ku serbët nuk janë shumicë, janë tregues të fuqisë së këtij subjekti politik.

“Mund të them se me Listën Serbe, serbët kanë fituar një korpus politik unik, i cili do të luftojë për një jetesë më të mirë të serbëve në këto hapësira. Mund të them se kjo është fitore e popullit serb, por edhe fitore, me të cilën, në Kosovë po vazhdon politika e mençur dhe shtetërore e Qeverisë së Serbisë dhe presidentit (Aleksandar) Vuçiq. Kjo që kemi treguar se jemi opsion i fuqishëm politik, nuk nënkupton se këtë do ta keqpërdorim dhe shfrytëzojmë kundër kujtdo qoftë, por vetëm në interes të serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, në mënyrë që t’i përparojmë kushtet në të cilat jetojnë”, tha Simiq.

Për njohësin serb të zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, fitorja e Listës Serbe në të gjitha komunat me shumicë serbe, nuk paraqet befasi. Duke folur për Radon Evropa e Lirë, ai thekson se Lista Serbe ka qenë i vetmi subjekt i serbëve që ka pasur mbështetjen e plotë të Beogradit dhe që, sipas tij, ka bërë fushatë jodemokratike.

“Në fakt, është vlerësuar edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nga OSBE-ja dhe nga të gjithë faktorët politik në Kosovë, se ka qenë një proces krejtësisht jodemokratik në fushatën parazgjedhore, në të cilën dominimin e kishte Lista Serbe. Numri më i madh i serbëve në Kosovë varet nga shteti serb në shumë kuptime dhe më duket që nuk ekziston asnjë familje, e cila nga ndonjë burim nuk është e lidhur ekonomikisht për Serbinë. Të mos flasim që kanë arritur që edhe në institucionet që janë të lidhura me Kosovë , por edhe në institucionet që janë të lidhura me Serbinë, të vendosin njerëzit e vet dhe ta kontrollojnë pushtetin absolut. Kështu që , kjo ka qenë e pritshme, ndonëse kjo nuk është demokratike dhe nuk është diçka, me të cilët do të mund të lavdëroheshin serbët”, theksi Nojkiq.

Por, a do të mund ta krijonte Lista Serbe fuqinë politike dhe ndikuese tek serbët pa mbështetjen e Beogradit?

Simiq thotë se serbët e Kosovës i kanë sytë kah Serbia dhe qëndrimi i Beogradit se kush duhet t’i përfaqësojë interesat e Serbisë dhe popullit serb, është fakt që vlerësohet nga serbët e Kosovës.

“Mbështetja nga Beogradi nuk ka ardhur kot, por për shkak se është vlerësuar se Lista Serbe është ajo që i mbledh serbët në Kosovë dhe që mund t’i përfaqësojë, në mënyrën më të mirë në këtë hapësirë, interesat e serbëve, por edhe të Serbisë”, tha Simiq.

Por, Nojkiq thekson se me fitoren e Listës Serbe, Beogradi zyrtar ka siguruar dëgjueshmërinë e serbëve të Kosovës. Por, me këtë, sipas tij, nuk do të zgjidhen problemet lokale të serbëve të Kosovës. Se si do të zhvillohet situata më tej, siç thotë Nojkiq, varet nga ngjarjet që do të rrjedhin.

“Në qoftë se Vuçiqit do t’i duhet t’i ndjekë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe në qoftë se do t’i duhet t’i plotësojë të gjitha ato që i ka premtuar para zgjedhjeve, atëherë i nevojitet ajo fuqi politike, gjegjësisht, mbështetja e të gjithë faktorëve relevantë në të gjithë hapësirën. Kjo për arsyen që ta paraqesë atë si zgjidhje të vetme dhe si diçka që ka bërë absolutisht mirë për serbët në këto hapësira. Më qoftë se , megjithatë, do t’i kundërshtojë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përsëri i nevojitet mbështetja politike, sepse në qoftë se në Kosovë do të shpërthejë ndonjë revoltë për shkak të çfarëdo zgjidhjeje, përgjegjësinë më të madhe do ta bartë Vuçiq”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se Vuçiqi, me fitoren e Listës Serbe ka siguruar një qetësi politike për veten, pavarësisht se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen në vet Serbinë, por edhe në nivelin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /REL/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme