Beriana Mustafa tash e 17 vjet jeton me ankthin e njëjtë, jeton në pritje të zbardhjes së vrasjes së babait të saj, Xhemail Mustafa.
Ajo akuzon organet e drejtësisë se kanë dështuar të zbardhin vrasjen e babait të saj dhe të gjithë aktivistëve të LDK-së të vrarë pas luftës, raporton KTV.
Sipas saj, meqë rastet janë me motive politike, dikujt në skenën aktuale politike po i konvenon heshtja e tyre.
Në radhë të parë thotë se LDK-ja ia ka borxh familjes zbardhen e këtyre vrasjeve.
Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë bërë homazhe te varri i Xhemajl Mustafës, kanë deklaruar se vazhdimisht kanë kërkuar nga prokuroria e vendit dhe nga EULEX-i që fajtorët të vihen para drejtësisë.
“Natyrisht se do të mbulohen nga gjykata speciale, mirëpo ka edhe shumë raste në të cilat duhet të veprojnë organet vendore të drejtësisë”.
LDK-ja me raste ka qenë më e zëshme në kërkimin e zbardhjes së vrasjeve të pasluftës dhe zbardhjen e gjithë veprimtarisë së SHIK-ut.
Ndërkohë, prej kohës kur hyri në koalicion me PDK-në, kërkesa për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut u zbut.