Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina” për gazetarin Marin Mema, të cilin e jep Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta.
Kryeministri Haradinaj, tha se është një numër i madh i atdhetarëve shqiptarë që rrugëtimin e tyre e kanë përmbyllur me flijim për atdhe.
“Njëri nga ta që nderon shqiptarët në shumë parametra është Hasan Prishtina. Çmimi “Hasan Prishtina” është i lidhur me një kauzë tepër të dhimbshme për shqiptarët, pra me shpërngulje, por edhe krenari se nuk është hequr dorë për kthimin në atdhe”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar kryetarin e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, për angazhimin e tij në sensibilizimin e shqiptarët për kthimin në atdhe.