Papa Françesk sot ka arritur në Rangun të Birmanisë në kuadër të turneut të tij gjashtë ditësh, me ç’rast do ta vizitojë edhe Bangladeshin, në peridhën e krizës së refugjatëve të komunitetit mysliman rohinxha, e cila është shndërruar në njërin prej krizave më të mëdha në botë.
Mijëra besimtarë katolikë nga e gjithë Birmania, e njohur edhe si Mianmar, janë tubuar sot në kryeqytetin Rangun për ta përshëndetur Papën.
Pritet që Papa Françesk do të diskutojë për krizën e refugjatëve rohinxha në takimet e tij me shefin e armatës së Birmanisë, Min Aund Hlaing, dhe me lideren civile të këtij vendi, Aung San Suu Kyi, e cila ishte fituese e Çmimit Nobel për Paqe.
Më se 620 mijë pjesëtarë të komunitetit mysliman rohinxha janë larguar nga shteti Rakhine në Birmani dhe kanë kaluar në Bangladeshin fqinj, gjatë tre muajve të kaluar.
Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara këtë gjendje e kanë përshkruar si “pastrim etnik”.
Dhuna në këtë shtet me popullatë shumicë budiste ka filluar në periudhën e goditjes ushtarake, pas sulmeve nga ana e kryengritësve rohinxha në Rakhine.
Qeveria e Birmanisë i ka hedhur poshtë akuzat se në shënjestër të aksioneve të saj ishin civilët, duke thënë se sulmet ishin drejtuar kundër militantëve.