Tusk e Mogherini ia përsërisin Mustafës: Liberalizimi pas ratifikimit të Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po zhvillon takime të shumta në kuadër të vizitës në Nju Jork.

Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në selinë e Kombeve të Bashkuara ka takuar presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

“Kryeministri i njoftoi për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Kosovës për proceset evropiane. Me këtë rast, Mustafa kërkoi përkrahjen e Tusk dhe Mogherinit në liberalizimin e vizave dhe proceset tjera.

Presidenti Tusk dhe zonja Mogherini theksuan përkrahjen e tyre për Kosovën në proceset eurointegruese”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë takimit, u theksua se pas adresimit të çështjes së demarkacionit dhe duke u bazuar në progresin që po bëhet në fuqizimin e rendit dhe ligjit, pritet të finalizohet dhe procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.

Kryeministri Mustafa, gjatë ditës, ka zhvilluar takime të ndara edhe me kongresistin amerikan, Eliot Engel, si dhe përfaqësuesen e USAID-it për Evropën dhe Euroazinë, Margot Ellis.

Kongresisti Engel theksoi përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën.

“Kam kënaqësinë të mirëpres kryeministrin Mustafa në Nju Jork. Kryeministri dhe unë jemi miq për shumë vite. Unë e admiroj punën e tij dhe sigurisht që e admiroj vendin e tij. Ne e dimë si amerikanë se nuk kemi miq më të mirë sesa miqtë tanë në Kosovë dhe ata nuk kanë miq më të mirë sesa miqtë e tyre në Amerikë”, tha kongresisti Engel.

Mustafa e falënderoi kongresistin Endgel për përkrahjen e tij dhe të SHBA-së për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë krah nesh dhe ne duhet ta respektojmë atë përkrahje dhe të punojmë bashkërisht në këto procese. Unë jam shumë i kënaqur me vëmendjen e kongresistit por edhe me vëmendjen e politikës amerikane ndaj Kosovës”, tha Mustafa.
Ndërkaq, gjatë takimit me përfaqësuesen e lartë të USAID-it, Margot Ellis, është biseduar për përkrahjen konkrete të USAID-it për Kosovën dhe mundësitë e mbështetjes së mëtejme në shumë fusha.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme