Gjatë ditës së djeshme, Gazeta Blic ka publikuar një shkrim në lidhje me uzurpatorë e banesave në lagjen “Dardania”, ku kishte thënë se Ramadan Avdiu është njëri prej tyre. Mirëpo doli të jetë një keqkuptim. Ngase bëhet fjalë për një Ramadan Avdiu tjetër, e jo për konsullin e përgjithshëm të Kosovës në Gjenevë.
Ndaj këtij shkrimi ka reaguar edhe vetë Avdiu, të cilin Gazeta Blic do ta botoj të plotë.
Ky është reagimi i Avdiut në lidhje me rastin :
Papërgjegjësia skandaloze e Portalit Blic. Të dashur qytetarë të Kosovës,Intervenimi i policisë së Kosovës për të zbatuar vendimin lidhur me lirimin e banesave të uzurpuara u shoqërua me një publicitet të madh mediatik.
As çështja e vendimit të gjykatave të Kosovës dhe as mediatizimi i vendimeve nuk janë tema që më përkasin në funksionin që jam duke ushtruar, e aq më pak t’i interpretoj ato.
Ajo që më bëri të reagoj në këtë situatë lidhet me papërgjegjësinë skandaloze të Portalit Blic. Pa verifikuar identitetin e uzurpatorëve real dhe vetëm pse në listën e uzurpatorëve figuron një person me emër dhe mbiemër Ramadan Avdiu, Portali Blic publikoi shkrimin e titulluar “SKANDAL: Zyrtari i lartë i PDK-së dhe konsulli i Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu njëri nga uzurpatorët” dhe e shoqëroi me fotografinë time.
Fillimisht do sqaroj se shumë vite më parë më është shtruar pyetja së pari nga zyrtarë të KEK-ut, rreth një banese të uzurpuar nga një person me emrin Ramadan Avdiu.
Pas sqarimit se unë nuk qëndroj pas asnjë banese dhe pas as asnjë prone tjetër të uzurpuar në Kosovë zyrtarët e KEK-ut kanë verifikuar dhe pas verifikimit kanë konstatuar se realisht një person tjetër, i quajtur Ramadan Avdiu, i një datëlindje tjetër, i lindur nga prindër tjerë kishte shfrytëzuar një banesë dhe e kishte njëhsorin elektrik në emrin Ramadan Avdiu.
Diku para një viti një pytje të tillë ma ka shtruar edhe gazetari Enis Veliu nga gazeta Zëri nga i cili kam kërkuar që të shkoj dhe të verifikoj personin sepse nuk bëhet fjalë për mua, mbase edhe ai e ka bërë verifikimin. Meqenëse nuk kam monopol as në emrin Ramadan e as në mbiemrin Avdiu dhe për faktin se ai kishte qenë person real, mua nuk më takonte të reagoi lidhur me këtë çështje.
Por, pas skandalit mediatik të Portalit Blic po sqaroj se: Unë, Ramadan Hamit Avdiu, i lindur më 24.01.1964, në Prishtinë, nuk kam kurrëfarë lidhjeje me banesën në fjalë dhe me asgjë të uzurpuar në Kosovë. I bëjë thirrje publike policisë, prokurorisë, gjyqësisë por edhe mediave serioze që të hulumtojnë këtë rast dhe të nxjerrin në dritë të vërtetën.
Portali Blic duhet urgjentisht të verifikojë informacionin lidhur me identitetin e uzurpatorit dhe të kërkojë falje që shpërndau gënjeshtrën e ambalazhuar me fotografinë time dhe me detyrat shtetërore që aktualisht jam duke i kryer, por edhe duke shqetësuar skajshmërisht familjen time dhe gjithë rrethin që më njohin…Me respekt Ramadan Avdiu.
Gazeta Blic, tashmë e ka publikuar një shkrim ku ka kërkuar falje nga z. Avdiu dhe ka sqaruar gjithëçka rreth keqkuptimit që ka ndodhur.