Ministria për Shëndetësi, me të cilën deri më tani ka udhëhequr kuadër i kampit politik shqiptar, vitin e ardhshëm për shpenzim do të ketë 107 milionë euro. Mbi 10 milionë do të jetë në duart e ministrave Kreshnik Bekteshi, në Ministrinë për Ekonomi dhe Sadulla Durakut, në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Portalb.mk bëri analizë të shpenzimeve në resorët që menaxhohen nga politikanë nga partitë shqiptare që janë pjesë e pushtetit ekzekutiv.
Ministria për Shëndetësi
Ministria për Shëndetësi disponon me njërin nga buxhetet më të mëdha për vitin e ardhshëm, gjegjësisht shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 107 milionë euro, dhe në krahasim me buxhetin e sivjetmë shëndetësia do të ketë pothuajse 12 milionë euro më shumë. Pjesa më e madhe e parave ose 33,5 milionë euro do të shkojnë për financimin e administratës, ndërsa për rroga dhe kompensime janë planifikuar 1,7 milionë eur, shkruan Portalb.mk.
Nga shpenzimet e përgjithshme, për mbrojtje shëndetësore dhe parandalim do të shpenzohen 7,8 milionë euro. Vitin e ardhshëm, Ministria për Shëndetësi, nëpërmjet komponentës zhvillimore do të ketë në dispozicion buxhet prej 30 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2019 kjo komponentë do të rritet në 34,3 milionë euro.
Nga buxheti themelor, pjesa më e madhe e parave ose 5,8 milionë euro do të shpenzohen për rikonstruimin dhe ndërtimin plotësues të objekteve të institucioneve publike shëndetësore, ndërsa për blerjen e pajisjeve mjekësore janë planifikuar 1,1 milionë euro. Përveç kësaj, për rikonstruim dhe ndërtim të institucioneve shëndetësore do të investohen 19,3 milionë euro – para nga kreditë, pjesa më e madhe e të cilave do të shpenzohen për ndërtimin e qendrave të reja klinike në Shkup dhe në Shtip. Për ndërtimin e Spitalit të përgjithshëm në Kërçovë janë ndarë pothuajse 500.000 еuro.
Ministria për Drejtësi – Bilen Saliji
Buxheti i përgjithshëm që do ta ketë në dispozicion vitin e ardhshëm ministri për drejtësi, Bilen Saliji, është 5,1 milionë euro. Si pjesë e kësaj ministrie është edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, organ në cilësinë e personit juridik që do të bëjë mbikëqyrjen inspektoriale të zbatimit të plotë dhe konsekuent të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Buxheti i këtij inspektorati është 120.000 еuro. Nëpërmjet nën-programeve zhvillimore, kjo ministri vitin e ardhshëm do të shpenzojë 325.000 еuro, të gjitha këto të dedikuara për reforma të gjyqësisë. Nëpërmjet Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, për ndërtimin, rikonstruimin dhe pajisjen e institucioneve ndëshkuese-përmirësuese dhe për reforma të institucioneve ndëshkuese-përmirësuese janë planifikuar mjete në lartësi prej 5,3 milionë eurosh. Për pagesën e rrogave dhe të kompensimeve, kjo ministri vitin e ardhshëm do të shpenzojë 1.5 milionë euro.
Ministria për Ekonomi – Kreshnik Bekteshi
Në vitin 2018, ministri për ekonomi, Kreshnik Bekteshi do të ketë në dispozicion 10.4 milionë euro, 6.2 milionë nga të cilat do të shpenzohen nëpërmjet zërit (linjës) “administrata”. Në krahasim me buxhetin e sivjetmë, shpenzimet e Ministrisë për Ekonomi janë rritur për rreth gjysmë milionë euro. Nga paratë e përgjithshme për shpenzim nga kjo ministri për vitin e ardhshëm, 1 milionë euro do të shkojnë për zhvillimin e energjetikës, ndërsa 1.1 milionë euro për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe për mbështetjen e turizmit vendor për punëtorët me të ardhura të ulëta. Konkretisht për mbështetjen e biznesit, nëpërmjet ministrisë duhet të investohen 630.000 еuro, shumë kjo e cila do të rritet në vitet 2019 dhe 2020, shkruan Portalb.mk. Nëpërmjet Agjencisë për mbështetjen e ndërmarrësisë, e cila është nën kompetencë të kësaj ministrie, do të shpenzohen 533.000 еuro.
Ministria për Vetëqeverisje Lokale – Suhejl Fazliu
Me buxhetin për vitin 2018, Ministria për Vetëqeverisje Lokale disponon me mjete në vlerë prej 7.2 milionë eurosh, që është shumë e njëjtë me vitin e kaluar. Në këtë resor bën pjesë ndërtimi i sheshit “Skënderbeu”, për të cilin vitin e ardhshëm do të shpenzohen 2.000.000 еuro, para me të cilat duhet të përfundohet ndërtimi i këtij sheshi, duke pasur parasysh se në dy vitet e ardhshme, 2019 dhe dhe 2020, qeveria nuk ka paraparë mjete për këtë projekt. Shumë e konsiderueshme nga komponenti zhvillimor i kësaj ministrie, në vlerë prej 3.4 milionë eurosh është ndarë për zhvillimin e barabartë rajonal.
Ministria për Mjedis Jetësor – Sadulla Duraku
Mjetet e përgjithshme të cilat do t’i ketë në dispozicion ministri Sadulla Duraku në vitin 2018 kapin vlerën prej 10,6 milionë eurosh. Në këtë ministri ka rritje të konsiderueshme të mjeteve për shpenzim në krahasim me vitin e kaluar prej rreth 2 milionë eurosh. Nga shpenzimet e përgjithshme, rreth 730.000 еuro do të shpenzohen për administratë. Për pagesën e rrogave dhe të kompensimeve janë planifikuar 1.6 milionë euro, shkruan Portalb.mk. Pesë milionë euro nga buxheti i përgjithshëm duhet të përfundojnë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, zë ky i cili përfshin: investime në mjedisin jetësor në vlerë prej 3.1 milionë eurosh, pastaj ndërtim të rrjeteve të kanalizimit dhe llagëmeve, pastrim të deponive dhe investime në Liqenin e Dojranit. Konkretisht për pastrimin e deponive janë planifikuar 200.000 еuro. Nëpërmjet programeve zhvillimore, kjo ministri ka në dispozicion shumë të përgjithshme në vlerë prej 930.000 еurosh.
Sekretariati për Çështje Evropiane – Bujar Osmani
Bujar Osmani nga BDI-ja, i cili është në krye të Sekretariatit për Çështje Evropiane, vitin e ardhshëm do të ketë në dispozicion buxhet prej 1.71 milionë eurosh. Sekretariati ka 102 të punësuar. Nëpërmjet nën-programeve zhvillimore, rreth 11.500 еuro janë dedikuar për ndihmë gjatë tranzicionit dhe avancimit institucional, ku janë vendosur dy zëra – për shpenzime të rrugës dhe mëditje në lartësi prej 5.000 еurosh dhe për shërbime kontraktuese, shumë në vlerë prej 6.500 еurosh, shkruan Portalb.mk. Për përfaqësitë diplomatike dhe konsullore janë paraparë mjete në vlerë prej 216.000 еurosh, ndërsa për përforcimin dhe zhvillimin e procesit të integrimit evropian vitin e ardhshëm janë ndarë 50.000 еuro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve, apo 874.000 еuro do të përfundojnë për pagesën e rrogave dhe të kompensimeve, ndërsa për shpenzime të rrugës dhe për mëditje është planifikuar shumë prej rreth 123.000 еurosh.
Buxheti për vitin e ardhshëm kap vlerën prej 3.4 miliardë eurosh, dhe është buxheti më i madh deri tani. Qeveria planifikon zvogëlim të deficitit buxhetor, e poashtu parashikoi edhe shkurtime në zërin “mallra dhe shërbime”. Megjithatë, ministritë fituan më tepër se sa vitin e kaluar për ta kompensuar rritjen e rrogave në sektorë të caktuar, mirëpo edhe për realizimin e investimeve të paralajmëruara kapitale, një pjesë si vazhdim i projekteve aktuale, ndërsa një pjesë tjetër si projekte të reja.