Ish-shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, është shpallur i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nga akuza është liruar edhe Hysni Muhadri, ekspert i brendshëm shqyrtues në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe Arsim Robelli, kontabilist i kompanisë “Conex Group”, raporton KTV.
“Të pandehurit lirohen nga akuza sepse në shqyrtim kryesor nuk është provuar që është kryer vepra penale”, ka thënë Arben Hoti, kryetar i Trupit Gjykues.
Ata kanë qenë të akuzuar për tenderin e ndërtimit të objekteve afariste në lagjen “Pejton” në Prishtinë.
Prokuroria pretendonte se Hoxha dhe Muhadri kishin favorizuar kompaninë “Conex Group”, duke refuzuar në mënyrë të padrejtë ankesën e operatorëve të tjerë.
Ky nuk ka qenë rasti i vetëm që Hysni Hoxha është akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës.
Vitin e kaluar, Gjykata Themelore e dënoi me 3 vjet burgim për një tender në KOSST por këtë vit nga kjo akuzë e ka liruar Gjykata e Apelit.
Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të OSHP-së, duke thënë se këtë po e bën për arsye shëndetësore.
© KOHA.