Haradinaj: Jemi të gatshëm t’i pranojmë në atdhe kosovarët që shkuan në ISIS

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shfaqur gatishmërinë që Kosova t’i riatdhesojë kosovarët që janë rekrutuar dhe kanë shkuar në luftërat në Siri dhe Irak krahas organizatave terroriste.

“Kosova është atdhe i të gjithëve dhe jemi të gatshëm t’i riatdhesojmë të gjithë që duan të kthehen. Kosova e merr përgjegjësinë që ta sigurojë jetën e të gjithëve”, tha Haradinaj gjatë prezantimit të raportit të UNDP-së rreth faktorëve shtytës dhe tërheqës për kosovarët që të marrin pjesë në luftëra të huaja.

Haradinaj tha se përhapja e ideologjive ekstremiste fetare në Kosovë ka ardhur si pasojë e “hapjes së Kosovës’ pas përfundimit të luftës.

Por tani ai tha se kosovarët i kanë mësuar efektet e ideologjive ekstremiste.

“Nuk mundet askush që t’i mashtrojë në pakufi qytetarët e Kosovës me ideologji. Kosovarët e kanë kuptuar se këto janë ideologji të rrejshme që bëhen me qëllim të manipulimit të qytetarëve tanë”, tha ai.

Raporti përfshin intervista me të dënuar nga gjykatat e Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe me familjarë të tyre.

Alessandra Roccasalvo nga UNDP tha se intervistimi i tyre ka qenë një proces i komplikuar.

Ajo paralajmëroi se Kosova do të përballet me sfida në momentin kur luftëtarët kosovarë do të fillojnë të kthehen nga frontet e luftës.

“Edhe Kosova ballafaqohet me problemet e njëjta si çdokund në Europë për kthimin e luftëtarëve të huaj. Është një sfidë e vështirë për agjensionet e sundimit të ligjit meqë nuk dimë shumë për këta individë”, tha Roccasalvo.

Hulumtimi i publikuar sot thotë se largimi i kosovarëve drejt Sirisë ka filluar në vitin 2012 dhe ka vazhduar edhe më tej deri në vitin 2015.

Deri më tani mbi 60 kosovarë janë vrarë në frontet e luftës në Siri e Irak, ndërsa mbi 120 janë kthyer në Kosovë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme