Dy zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një konferencë për media, kanë thënë se procesi zgjedhor i balotazhit për kryetar të Prizrenit është manipuluar nga Lëvizja Vetëvendosje’
Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të ushtrojnë ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të sfiduar rezultatin e votimit për kryetar të Prizrenit në balotazh, pasi besojnë se ka shkelje të rënda të procesit zgjedhor.
Ai ka deklaruar se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për t’i denoncuar këto veprime abuzive, duke theksuar se nëse nuk rinumërohen votat për kryetar të kësaj komune krejt procesi mbetet i kontestuar dhe i kontestueshëm, njofton Klan Kosova.
“Ne kemi prezantuar shumë fakte dhe prova me të cilat dëshmohet se është deformuar vullneti i qytetarëve në Prizren. Do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore, për t’i denoncuar ato përsëri, siç do ta bëjmë edhe sot para PZAP-së, për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Ka plot dëshmi për veprimet abuzive të Vetëvendosjes, bërthamë e idesë politike të të cilëve është shantazhi, sulmi ndaj zyrtarëve të shtetit”.
“Qëndrimi i këtij subjekti politik, kategorikisht kundër rinumërimit, na bind se i frikësohet rinumërimit sepse e di se çfarë ka bërë. Ne asnjëherë nuk ia kemi pasur frikën asnjë segmenti që lidhet me votimin. Në këtë mënyrë gjithçka mbetet e kontestuar dhe e kontestueshme. Është në të mirë e të gjithë atyre që duan ta ruajnë vullnetin e qytetarëve që të pranohet rinumërimi”.
Ndërsa, Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur trenin bullgar për të deformuar vullnetin qytetar, duke nënvizuar se nëse PZAP-i vlerëson drejt faktet që kanë grumbulluar komuna e Prizrenit duhet të shkojë në rivotim.
“Në Prizren ka pasur manipulim të procesit zgjedhor. Është vërtetuar gjatë numërimit të votave me kusht në QNR, ku kanë munguar tri fletëvotime. Do të thotë që këto janë përdorur për fenomenin e trenit bullgar, për të ndryshuar vullnetin e qytetarit. Ka dëshmi të shumta që në Prizren ka pasur devijim të vullnetit qytetar. Persona të ndryshëm, që nuk kanë pasur të drejtë kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor. Kemi plot fakte për këtë gjëra, të cilat do t’ia dorëzojmë PZAP-it. Ne i bëjmë thirrje PZAP-it që në mënyrë të drejtë të administrojë krejt materialin që kemi dorëzuar. Mendojmë që e vetmja zgjidhje është të cohet vullneti i qytetarëve në vend, rrjedhimisht rivotimi në Prizren. Ne nuk i frikësohemi asnjëherë procesit zgjedhor”.