Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një deklaratë për mediat, u bëri apel gjithë banorëve të zonave që rrezikojnë përmbytjen që të largohen nga banesat.
Ministrja tha se FA kanë mundur të evakuojnë 315 persona, por pritet rëndim i gjendjes gjatë ditës së sotme, veçanërisht në jug të vendit.
“Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet ne Vjosë, Shkumbin dhe Seman. I bëj thirrje të gjithë banorëve të prekur të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me FA dhe strukturat e emergjencës”- tha ministrja, duke shtuar: “Ju lutem bashkepunoni per te garantuar sigurine e jetes per secilin prej jush”.
DEKLARATA E PLOTE
Ministria e Mbrojtjes po ndjek më vëmendje situatën e krijuar në vend për shkak të përkeqësimit të motit.
Tre ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, tanimë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes një shkrese zyrtare ka porositur në mënyrë të veçantë, të gjithë prefektët e qarqeve, drejtuesit e bashkive, drejtuesit e institucioneve qendrore rajonale dhe vendore, për marrjen e masave urgjente për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me pushtetin vendor, me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave për sigurimin e ujësjellësave dhe rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, për problemet që mund të shkaktohen nga përmbytjet; kontrollin e argjinaturave të lumenjve në bashkëpunim me Drejtoritë e bordeve të kullimit dhe subjektet kontraktore shfrytëzuese të inerteve të lumenjve; monitorimin e akseve rrugore dhe mbajtja hapur e tyre për qarkullimin normal të mjeteve.
Pushtetit vendor i është kërkuar sigurimi i bashkëpunimit me OSHEE për mirëmbajtjen e linjave të furnizimit me energji elektrike të komunitetit dhe në mënyrë të veçantë të furnizimit të hidrovorëve, ujësjellësave të qyteteve dhe fshatrave.
Në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, i bëj apel të gjithë qytetarëve, veçanërisht në zonat të prekura nga reshjet, që të ndjekin udhëzimet që po i jepen, dhe do të vazhdojnë t’i jepen nga zyrat e emergjencave civile, pranë prefekturave dhe bashkive përkatëse. Parandalimi i pasojave dhe siguria e jetës së çdo qytetari është detyrë parësore për të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe për çdo efektiv të Forcave të Armatosura.
Ndaj, edhe një herë, i drejtohem çdo qytetari, që të bashkëpunojë e të respektojë udhëzimet e strukturave përkatëse për të kapërcyer vështirësitë e për të përballuar çdo situatë, që, sipas parashikimeve mund të përkeqësohet gjatë ditëve në vijim.
Efektivët e Forcave të Armatosura janë në krye të detyrës dhe do të vazhdojnë të jenë të pranishëm pranë komunitetit, siç kanë bërë deri më sot, për t’i ndihmuar në rastet e ndërhyrjeve të mundshme.