Një kumtesë e ardhur nga Partia e Drejtësisë, udhëhequr nga Ferid Agani, ish – ministër i Shëndetësisë dhe ish- ministër i Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, tash i dyshimtë dhe i akuzuar për keqpërdorime në rastin stenta, njofton për një puç të dështuar partiak nga zyrtarë, që nuk emërohen, nga kjo parti, transmeton Koha.net.
Në këtë kumtesë thuhet:
“Partia e Drejtësisë njofton opinionin publik se grupi i izoluar i zyrtarëve partiak që muajt e fundit fshihej kinse prapa pakënaqësive rreth qëndrimit të partisë për demarkacionin dje shpërfaqi veten me synimin e vërtetë të cilin e ka pas që nga fillimi, që nëpërmjet gënjeshtrave dhe manipulimeve të anëtarësisë të arrijë largimin e themeluesit dhe Kryetarit të PD-së nga posti legjitim i udhëheqësit të partisë dhe me këtë të realizojë ndryshimin e kursit të partisë nga demokracia bashkëkohore konservatore europiane kah orientimet politike që janë në kundërshtim me traditën e shtet-ndërtimit dhe kulturën kombëtare e fetare të popullit Shqiptar, gjë që është e papranueshme dhe si e tillë nuk do gjejë vend në PD në asnjë rrethanë dhe në asnjë periudhë kohore.
Partia e Drejtësisë ia bënë me dije çdo anëtari dhe simpatizanti të partisë se me vendosmërinë më të madhe do të mbrohen të arriturat 17 vjeçare të partisë dhe do të avancohen më tutje konceptet e saja programore të demokracisë progresive konservatore në funksion të pjesëmarrjes sa më të suksesshme të PD-së në shtetndërtimin e vendit si dhe integrimet e tij europerëndimore dhe më të gjëra ndërkombëtare.
Procesi zgjedhor brenda partisë dhe kuvendet e rregullta të punës të disa degëve, që do të organizohen nga kryesitë dhe kryetarët aktual të degëve të cilët në mënyrë jo-statutore janë duke shprehë pakënaqësi paraqet mundësin optimale që anëtarësia e PD-së ta thotë fjalën e saj përfundimtare përkitazi me të gjitha çështjet e ngritura”.