Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për qëndrimin e PDK-së karshi çështjes së demarkacionit.
Krasniqi ka thënë se PDK ka po të njëjtin qëndrim si më parë për çështjen e demarkacionit.
Kjo nënkupton që PDK do ta votojë versionin aktual të demarkacionit.
“Qëndrimi i PDK-së është i njohur dhe ka qenë konstant në vazhdimësi. Kryetari Veseli ka qenë shumë i qartë”, ka deklaruar Krasniqi për Gazeta Blic.
Ndryshe, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se të gjithë deputetët e partisë së tij do të votojnë pro marrëveshjes së demarkacionit – me përjashtim të njërit prej tyre.
“Si Parti Demokratike e Kosovës, në masën mbi 95 për qind (i kemi votat)”, ka thënë Veseli në një intervistë.
“Mund të jetë vetëm një deputet i cili nuk e voton. Dhe ai është Nait Hasani, i cili mund të ketë dilema”, është shprehur kreu i PDK-së.
Ndërsa, kryeministri i Ramush Haradinaj njëherit kryetar i partisë AAK është shprehur se versioni aktual i demarkacionit është i gabuar andaj ka emëruar një komision të ri në lidhje me Demarkimin me Malin e Zi.
Kujtojmë se kryeministri Haradinaj ka marrë përgjigje edhe nga pala malazeze.
Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviç, shpreson që situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve.
Duke komentuar shkarkimin e ish-kryetarit Murat Meha dhe Komisionit që ka arritur marrëveshjen, zyrtari malazez ka thënë se Podgorica nuk është njoftuar zyrtarisht për asgjë. Por, ky zyrtar nuk ka dhënë sinjale se vendi i tij do të lëvizë, duke kërkuar nga pala kosovare ratifikimin e marrëveshjes.
/GazetaBlic