Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar me një qëndrim unik në lidhje me gjetjet e prezantuara nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare, sa i përket Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, raporton Radio Evropa e Lirë.
Përderisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kishte kërkuar nga Komisioni i ri të hulumtojë dhe argumentojë, ato që beson se janë parregullsi në Marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, zëvendësi i tij, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka cilësuar gjetjet si “pështjellim” dhe jo sqarim të situatës.
Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, konsideron se raporti i ish-komisionit drejtuar nga Murat Meha, do të dërgohet në Kuvend, kurse ai i komisionit të ri i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi do të merret për bazë vetëm në aspektin e informimit për deputetët.
“Besoj se këto gjetje, në fakt nuk është se do t’ua ndërrojnë mendjen një numri të deputetëve të cilët njihen tashmë si përkrahës të versionin aktual. Kam parasysh këtu deputetët e PDK-së, me ndonjë përjashtim të vogël, por edhe të LDK-së, nëse bazohemi edhe në deklaratën e Isa Mustafës, i cili ka thënë se deputetët do ta votojnë versionin aktual të Marrëveshjes për demarkacion dhe nuk do t’i marrin për bazë gjetjet e Bulliqit”, tha Mushkolaj.
Aktualisht, në Qeverinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës mbështetë ratifikimin e Demarkacionit sipas Marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015, kurse partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, është në favor të gjetjeve të Komisionit, të cilat me vet faktin që konstatojnë parregullsi, në një apo formë tjetër nxisin deputetët që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit.
Kurse në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë ratifikimin, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pas liderit të saj, Isa Mustafa do të votojë për ratifikimin e Marrëveshjes.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka mirëpritur dhe përgëzuar Qeverinë për vendimin për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës Marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve që ta ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit.
“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore” ka shkruar presidenti Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Thaçit, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do t’i jap “fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë”.
Procedimit të Demarkacionit në Kuvend i ka paraprirë një prezantim nga ana e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror para Qeverisë së Kosovës.
Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se Marrëveshja e arritur me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, nuk është në përputhje me vijat ekzistuese kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Por, rreth këtyre të gjeturave, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se ato vetëm sa e kanë komplikuar situatën dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.
“Unë dëgjova vlerësime shumë të përgjithshme, pa ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Nuk ishit konkret, nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë kam thënë se kur tema janë komplekse. Është detyre e komisioneve dhe politikës që t’i thjeshtojë. Sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe ma shumë situatën”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, kryesuesi i komisionit, Shpejtim Bulliqi tha se ish-komisioni shtetëror nuk ka përdorur shumë fakte të cilat i kanë pasur dhe janë pajtuar vetëm me ato që ka ofruar Mali i Zi.
“Si rezultat i të gjitha këtyre të gjeturave, në punën e ish-komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen Kufirit shtetëror, Komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në Marrëveshje për kufirit e shtetit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, tha Bulliqi.
Nga ana tjetër, në partinë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, thonë se ende nuk e kanë lexuar raportin e komisionit të ri për Demarkacion, i cili është prezantuar në Qeveri.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se nëse Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend marrëveshjen ekzistuese me gjetjet e reja, ajo në fakt po gabon.
“Ne e kundërshtojmë dërgimin e Marrëveshjes [në Kuvendi] apo projektligjin që përmban marrëveshjen me Malin e Zi, e cila i falë këtij vendi mbi 8,200 hektarë tokë. Konsiderojmë se është i papranueshme fakti që ajo marrëveshje të dërgohet sepse e njëjta nga kryeministri aktual është dashur të tërhiqet dhe jo të dërgohet në Kuvend. Sa i përket raportit, nga informacionet që i kemi është vërtetuar edhe njëherë se Kosova ka humbur territor me atë marrëveshje”, tha Haxhiu.
Komision i ri për vijën kufitare është emëruar pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës, nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e kishte kundërshtuar që nga fillimi Marrëveshjen për demarkacionin, të cilën, në gusht të vitit 2015, e kishin nënshkruar ish-ministri i Jashtëm dhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Isa Mustafa.
Sidoqoftë, fjalën përfundimtare rreth Demarkacionit pritet që ta japë Kuvendi i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve, apo 80 vota për nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës./REL