Kërkesa e Haradinajt, që në bisedimet me Serbinë të përfshihet Amerika, kishte acaruar raportet mes tij dhe Mogherinit.
Por, çështja e demarkacionit duket se do të acarojë raportet e tij edhe me Amerikën, raporton KTV.
Vetë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i ka quajtur gjepura gjetjet e komisionit të ri të themeluar nga Haradinaj.
Por, partia e Haradinajt nuk e ka në plan të merret me deklarata. Ahmet Isufi ka thënë se ata iu besojnë gjetjeve të komisionit të ri, e njëjtë mendon edhe Vetëvendosje.
Por, LDK-ja thotë se po rrezikohen raportet mes Kosovës e miqve ndërkombëtarë me këto sjellje të qeverisë, derisa e quajnë hipokrizi faktin që vetë kryeministri e votoi marrëveshjen në mbledhjen e qeverisë, ndërsa deputetëve të tij iu kërkon të mos e votojnë atë në Kuvend.
Vetë ende nuk kanë vendosur për veprimet. PDK-ja nuk ka dashur të flasë për këtë çështje sikurse nuk ka dashur të tregojë se si do të rrjedhë situata tutje me demarkacionin dhe kur ka gjasë që kjo çështje të bëhet pikë e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës.
PDK-ja po planifikon që para se kjo çështje t’i kalojë seancës, të ketë diskutime mes të gjitha grupeve parlamentare.
Por kreu i kësaj partie, që është kryetar i kuvendit, sërish ka përsëritur se demarkacioni duhet të kalojë. Këto deklarata kryetari i Kuvendit i ka bërë në takimin me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe ambasadorë të vendeve të BE-së në Kosovë.