Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.
Kolegji i Gjykatës Supreme dje e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PDK-së, dega në Prizren, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.
Më poshtë është reagimi i plotë:
Vendim ka qenë i paralajmëruar nga ne dhe me të cilin ishte i njoftuar edhe opinioni i gjerë publik, meqë vlerësojmë se organet gjyqësore janë të frikësuar nga shantazhuesit, kërcënuesit dhe sulmuesit e institucioneve, të cilët tani hapur kanë filluar luftën edhe ndaj Demokracisë, duke manipuluar zgjedhjet e lira dhe duke e ndryshuar verdiktin e qytetarëve.
Dalja në mbrojtje të krimit, lejimit të vjedhjes dhe manipulimit të votave nga VV (Vjedhësit e Votave), ditën e zgjedhjeve me 19 nëntor, për të cilën kemi paraqitur prova dhe fakte konkrete me shkrim dhe video, dëshmon se marrja e një vendimi të tillë nga Supremja, do të thotë se gjatë kësaj periudhe për vendimin në fjalë, janë koordinuar me subjektin në fjalë, duke u gjunjëzuar para tyre, edhe pse kjo Gjykatë do duhej të ishte e pavarur në vendim-marrje dhe e pandikuar politikisht.
Mohimi i argumenteve dhe provave, qartazi, është përkrahje për dhunuesit, duke amnistuar krimet e tyre të cilët pos shpifjeve dhe akuzave, tani hapur kanë filluar me veprime konkrete për kapjen e institucioneve të pavarura, meqë edhe ideologjia e tyre është e tillë – lindore , si e shumë etërve të tyre që i kanë në gjirin e partisë. Kostoja e rinumërimit është më e ulët se dyshimi i mbi 25 mijë votuesve për mandatin e fituar në mënyrë jodemokratike dhe se nuk ka asnjë arsye pse të mos hapen kutitë dhe të ketë transparencë para qytetarëve. Ata që frikësohen nga rinumërimi, dihet se janë hisedar në manipulime dhe keqpërdorime sepse vetëm atëherë do të ketë drejtësi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Vjedhësit e Votave (VV) dhe Klika e Molotovit duhet ta kenë të qartë që mbi 25 mijë demokrat të Prizrenit, nuk do e njohin një kryetar të tillë jolegjitim, i cili tenton të vij në pushtet përmes formave anti-demokratike dhe klandestine, meqë është i njëjti individ i cili ka terrorizuar institucionin më të lartë legjislativ të vendit, Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke ndezur gazëlotësjellës dhe duke sulmuar kryeministrin e Republikës së Kosovës.
PDK do të vazhdojë t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike, për zbardhjen e keqpërdorimeve, meqë tentimi për manipulim me votën e shenjtë të qytetarëve është tentim i rrëzimit të Demokracisë, dhe si i tillë paraqet rrezik edhe për orientimin e Kosovës si shtet, meqë miqtë ndërkombëtarë kanë investuar për një kulturë demokratike me orientim pro-amerikan dhe pro-europian, derisa Vjedhësit e Votave(VV) kanë shfaqur që moti dyshimet e tyre për këtë orientim, duke mos njohur simbolet shtetërore dhe institucionet e saj, edhe pse marrin paga nga po ky shtet, i ndërtuar me sakrificë shekullore dhe bashkëpunim me aleatët tanë.
Ne, Partia Demokratike e Kosovës, besojmë në institucione të pavarura, siç janë Gjykatat dhe organet e tjera ligjore sepse ne jemi vetë prirës të proceseve çlirimtare dhe shtetndërtuese, duke kontribuar në themelimin e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës, për të cilat janë flijuar gjenerata të tëra, por nuk besojmë në ata gjykatës, të cilët janë të ndikuar politikisht dhe të frikësuar nga grupe të caktuara kriminale politike dhe parapolitke nga subjekti terrorist dhe anti-perëndimor, VV (Vjedhësit e Votave).