Shtabi zgjedhor i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren ka akuzuar Gjykatën Supreme për gjunjëzim para Lëvizjes Vetëvendosje. Reagimi i PDK-së vjen pas vendimit të Supremes për refuzim të ankesës së këtij subjekti politik, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-it, lidhur me procesin zgjedhor të balotazhit për kryetar komune, shkruan sot Koha Ditore.
“Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren reagon ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, vendim i cili ka qenë i paralajmëruar nga ne dhe me të cilin ishte i njoftuar edhe opinioni i gjerë publik, meqë vlerësojmë se organet gjyqësore janë të frikësuar nga shantazhuesit, kërcënuesit dhe sulmuesit e institucioneve, të cilët tani hapur kanë filluar luftën edhe ndaj demokracisë, duke manipuluar zgjedhjet e lira dhe duke e ndryshuar verdiktin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Kjo parti ka akuzuar Supremen edhe për koordinim me LVV-në për këtë vendim.