Haradinaj tash thotë se lajmi për viza vjen shpejt, e lëvizja e lirë pas disa muajsh

Lajmi pozitiv për liberalizimin e vizave për kosovarët, është çështje javësh, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se pas lajmit do të duhen edhe disa muaj që qytetarët të lëvizin lirshëm në “Zonën Schengen”.

Këtë afat të ri, kryeministri e ka dhënë pasi ka pranuar se premtimi i tij për lëvizjen e lirë pa viza brenda 90 ditëve të para të qeverisjes së tij, nuk është përmbushur.

“Mendoj se lajmin për liberalizim të vizave mund të marrim shpejt dhe kjo është çështje javësh, pastaj është çështje muajsh për t’u kryer ky proces”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka njoftuar se gjatë këtij muaji do të udhëtojë drejt Brukselit.

Sipas tij, Kosova më nuk do të jetë pjesë e takimeve në tavolina ku ajo nuk respektohet, por do të jetë e barabartë.

“Më 18 dhjetor kam edhe një vizitë në Bruksel, nuk kam të premtuar asgjë, i keni parë qëndrimet e mia, edhe në Parlament edhe ato në publik. Kosova duhet të marrë atë që i takon ose s’ka pse të marrë pjesë në këto takime”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Mbrëmë, zëvendësi i tij i parë në ekzekutiv, Behgjet Pacolli, tha se liberalizimi i vizave pritet të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2018. Ndërsa premtimet nga qeveritë për lëvizje pa viza për kosovarët kanë nisur vazhdimisht që nga viti 2011.

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme