Në veri të Kosovës ende ka struktura paralele

Në veri të Kosovës, ende nuk ka përfunduar procesi i shuarjes së strukturave paralele, të cilat mbështeten nga Beogradi zyrtar, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Përderisa nga Policia e Kosovës në veri të vendit, thuhet se gjendja është dukshëm më e mirë, krahasuar me vitet paraprake.

Katër komunat veriore të Kosovës, ku bëjnë pjesë Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe Mitrovica e veriut, janë të banuara nga popullata shumicë serbe.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se autoritetet e rendit nuk po arrijnë që të kenë kontrollin e duhur në atë pjesë.

Naim Rashiti, drejtor i Grupi Ballkanik për Politika, thotë se shtyrja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe ka bërë që në veri të Kosovës të jenë ende të pranishme institucionet paralele serbe që funksionojnë pa ndonjë pengesë ligjore.

“Të gjitha struktura e administrimit, komunat funksionojnë ende, agjencitë e ndryshme shtetërore të Serbisë. Krahas arsimit dhe shëndetësisë që veprojnë në gjithë Kosovën, funksionon lirshëm edhe një zyre të Bankës Qendrore të Serbisë. Nuk është bërë shumë për tërheqjen e tyre ose nuk është bërë asnjë plan për tërheqjen e tyre”.

“Ajo që ka ndodhur është shuarja e policisë, integrimi i policëve dhe gjykatësve që zyrtarisht institucione të sigurisë dhe ligjit, nuk ka në veri -jo zyrtarisht natyrisht që dihet prezenca e strukturave, por zyrtarisht organet e tilla, të cilat mund të arrestojnë apo veprojnë, nuk ka në veri”, thotë Rashiti.

Sipas tij, veriu i Kosovë ka qenë i pamenaxhuar dhe i paadministruar për më gjatë se 18 vjet, dhe pothuajse edhe sot vazhdon të jetë gjendje e ngjashme.

“Fakti se 80 për qind e veturave operojnë pa tabela [regjistrimi], fakti se nuk ka regjistra të qarkullimit të njerëzve flet mjaft; nuk ka kontroll të mjaftueshëm mbi kufijtë. Ka shumë kalime ilegale si në asnjë kufi tjetër në rajon. Është kufiri më i thyer, më i qarkulluar ilegalisht, dhe kjo natyrisht që na shtyn të kuptojmë që aty ka vepra dhe zhvillohen vepra shumë të rrezikshme kriminale dhe infiltrim i shumë grupeve të interesit”, theksoi Rashiti.

Ai vlerëson se për të ndryshuar gjendja në veri të Kosovës, dhe për eliminimin e të gjitha rreziqeve dhe grupeve që qarkullojnë në mënyrë të paligjshme, duhet edhe pak kohë. Sipas tij, autoritetet e rendit, me gjithë përpjekjet, nuk janë duke vepruar atje sa duhet.

“Policia është në proces e sipër dhe është në rrugë të mirë. Unë besoj se pas një kohe do të vihet rend, por ende autoritetet e Kosovës, apo edhe KFOR-i, nuk e kontrollojnë kufirin siç duhet. Kemi parasysh që për 4-5 vjet ka qenë e pamundur të operojë Policia e Kosovës në veri. Kurse tani operon në një masë deri diku”, thekson Rashiti.

Prania e strukturave paralele nuk mohohet as nga autoritetet e rendit. Por, sipas tyre, ato struktura janë zbehur dhe nuk kanë më fuqi siç kishin vite më parë.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri, thotë se gjendja e sigurisë në përgjithësi është e qetë. Ai megjithatë, mendon se zhvillimet aktuale dhe dinamizmi i veprimeve politike ndikojnë në stabilitetin e asaj pjesë.

Hoti thekson se Policia në veri të Kosovës ka nevojë për mbështetje dhe përkrahej nga institucionet si ato të nivelit lokal, po ashtu edhe atij qendror.

“Sapo të kemi një stabilitet ekonomik në këtë pjesë të vendit, flasim edhe për stabilitet shoqëror. Nuk është vetëm policia, mekanizmi i vetëm i sigurisë, i cili duhet të funksionojë në tërë këtë hallkë të sigurisë së vetë qytetarëve. Mirëpo, ato detyra dhe obligime të cilat dalin me ligje dhe janë proceduar për Policinë e Kosovës, sigurisht që policia krahas shumë zhvillimeve që kanë ndodhur këto vitet e fundit me integrim e dialog, kanë ndikuar në ndryshimin e formave dhe të të menduarit për çështjen e sigurisë”, shprehet Hoti.

Kurse, sa u takon kalimeve ilegale të kufijve në veri, Hoti thotë vendkalimet kufitare janë në monitorim të plotë, por nuk përjashtohen rastet kur grupet të caktuar për interesat të ndryshme tentojnë ta kalojnë kufirin ilegalisht.

“Ka interesim të grupeve të ndryshme, të cilat tentojnë ilegalisht të fusin mjete apo persona në kalimin e kufirit jashtë pikave të autorizuar. Policia kufitare i ka detyrat e veta dhe bën punën e vet në identifikim e këtyre grupeve apo individëve”, thotë Hoti.

Për autoritetet e Kosovës, shuarja strukturave paralele në veri dhe pjesët tjera të vendit, është një nga kushtet kryesore për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si një prej marrëveshjeve kryesore të arritura në dialogunndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme