Ermira nuk thotë asnjë fjalë për Musa Xhaferrin dhe nuk sqaron se nga kush ndjehet e pambrojtur!

Deputetja e BDI – së, Ermira Mehmeti ka vendosur të thyejë heshtjen e saj rreth asaj që njihet në opinion si “afera e përgjimeve”. Në sqarimin e saj në opinion ajo ka bërë të ditur se sulmohet ngaqë është një femër e pambrojtur dhe e divorcuar. Gjithashtu, Ermira Mehmeti lë të hapur mundësinë se e tërë kjo ndodh me qëllim të eleminimit të saj politik, mirëpo ajo në asnjë moment nuk tregon se nga kush ndjehet e sulmuar dhe e pambrojtur, veçanërisht ajo tregohet e kujdesshme që në asnjë rrethanë mos ta përmend emrin e personit me të cilin ndërlidhet kjo aferë, atë të Musa Xhaferrit.

“…sot kam vendosur të them disa fjalë lidhur me këtë sulm, që duket se akoma vazhdon. Së pari, është e qartë tendenca që, duke përdorur metodat më të thjeshta të programeve edituese Ermira Mehmeti të shndërrohet në sinonim të ‘shthurjes morale’ të shoqërisë sonë. Nuk është për t’u çuditur: në një shoqëri maskiliste, me premisa të theksuara të patriarkalizmit dhe logjikës së organizimit shoqëror fisnor ku mashkulli/burri ka fjalën përfundimtare për çdo gjë, një Ermirë është pengesë që duhet eliminuar”, shkruan Mehmeti. Ajo tutje thotë se ishte mjaft e lehtë për t’u sulmuar personaliteti i saj, ngase ajo nuk i kishte 100 burra prapa për ta mbrojtur.

“Rrethanat lehtësuese? Ermirës i ka vdekur babai, ka një vëlla që merret me art, pra jo me politikë, dhe një vëlla që është ndër udhëheqësit e Revolucionit të larmë. Ajo ka një kushërirë e cila pa ndalë e sulmon BDI-në dhe Qeverinë, dhe ka një familje pa 100 burra (sepse duket se ky është kriteri përcaktues për sukses në politikën tonë aktualisht)! Për më shumë, Ermira është edhe e divorcuar, kështu që terreni për ta goditur në dimensionin moral është perfekt, pa asnjë pengesë!”, deklarohet Mehmeti.

Ajo tregon se duke u gjendur pa mbrojtje nga institucionet por as nga subjekti i saj politik, është detyruar që vetë të kërkoj që të bëhet ekspertiza e ‘përgjimit’, në rrugë private. “Atë ekspertizë e kanë bërë inxhinierë të zërit nga Maqedonia, Kosova, dhe SHBA-të, dhe është parë qartë se bëhet fjalë për një bisedë të montuar, me qëllim diskreditimin tim”, thotë Mehmeti duke treguar se të njëjtat prova i ka dorëzuar në të gjitha organet e drejtësisë në vend, përfshirë edhe ministra e shefa Policie. “Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam folur për këtë çështje duke u nisur nga edukata ime dhe përcaktimi se roli im publik nuk është për t’ia prishur jetën askujt, aq më pak ndonjë vajze apo femre. Por, sot po them dy gjëra: zonjusha në fjalë është A.A. nga Shkupi, dhe unë, por edhe Prokuroria Special e Ministria e Brendshme e kemi fotografinë e saj”, shkruan deputetja Mehmeti, duke shtuar se nuk ka dyshi m se qëllimi i kësaj fushate ka qenë dhe ngelet largimi i saj nga skena politike. Fundin e shënimit të saj në facebook, deputetja Ermira Mehmeti e përmbyll me këto fjalë, ’kjo nuk është politika që unë di ta bëj, nuk është politika që e kam mësuar, dhe nuk është politika në të cilën do të vazhdoj të jap kontribut. Prandaj, do të kërkoja që të ndërpritet fushata kundër meje dhe të lihet e qetë familja ime’.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme