Sakte.net / e Premte 23 Shtator 2016 / 18:35
Opinion nga Selim Iljazi
Sotë është e qartë se nuk ka disponim që problemet të zgjidhen hap pas hapi. Sot bëhet një hap para, nesër dy prapa, luhet ngjajshëm si në vallet popullore. A duhet vetëm shqiptarët të mendojnë për ruajtjen e vlerave specifike të shtetit edhe atëher kur marrin rolin e të nënshtruarit? – Ka ardhur koha që të thuhet e vërteta, pavarsisht se pas kësaj dikush mund të të etiketojë se tradhtar, arkaik, terrorist, armik i shtetit etj. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë mekanizma mbrojtës, ndonëse ato figurojnë vetëm të shkruara në Kushtetut, në Marveshjen e Ohrit. Sot politika shqiptare në Maqedoni mbështetet në aktivitetin e klaneve provinciale dhe interesat klanore që moti i kanë fshirë nga faqja e dheut interesat kombëtare. Prandaj pse duhet të na habis fakti se nuk kemi arsim, shkencë, kultur… segmente këto që janë zëvendësuar vetëm me angazhimin “madhor” të punësimeve të atyre që në kohë zgjedhjesh sjellin vota. Në këtë vendë është ndërtuar një filozofi e çoroditur politike, e cila me nocionin interes kombëtar nënkupton vetëm punësimin, por si borxh, e cila duhet të kthehet në çastin e duhur, atëher kur vjen epoka e premtimeve të mëdha – epoka e zgjedhjeve. Na ka lodhur edhe dëshpërimi i vazhdueshëm nga politikat dështuese dhe herë herë të pakuptueshme. Politika e inatit mungesa e argumentit, shantazhi, fyerja, politika e nënçmimit janë vetëm disa fakte për të konstatuar se jemi bërë lëndë e mjaftueshme për një studim të thellë socio-psikologjik. Ka ardhur koha që të luhet me letra të hapura dhe fajin ta kërkojmë midis nesh dhe jo atje ku realiteti nuk gjendet – te pala tjetër, e cila saktësisht e din dhe e ka të qartë se çfarë kërkon dhe ku dëshiron të shkojë. Nuk do të arrijmë askund nëse veprojmë me logjikën e gabuar, nuk do të ketë rezultate nëse veprojmë pa program dhe kontrat konkrete. Filozofia e nënshtrimit ka bërë që për gjithçka që ndodhë në Maqedoni (në kuptimin e keqë) fajtor i pari duhet të jetë shqiptari. Pasi të kemi pastruar me vetveten, atëher do të dimë se cilat janë synimet dhe aspiratat tona, pasi ta kapërcejmë hendekun e madhë dhe ta ndajmë shapin prej sheqerit, duke ju kthyer secili profesionit të vet: berberi briskut të rrojës, tregtari shitores, bujku arës, çobani kopesë së deleve, mekaniku automjeteve, e kështu me radhë, atëher do të mund të themi se pjekuria e shoqëris shqiptare është evidente. Në të kundërtën, politikbërësit tanë fatkeqësisht edhe mëtej do të jenë berberi, tregtari, bujku, çobani, mekaniku, etj, të cilët gjithë kapacitetin “intelektual” e kanë të koncentruar vetëm në muskujt, që në fakt i përdorin në prodhimin e frikës në njërën anë, ndërkaq në anën tjetër nuk e ndjejnë imponimin e filozofisë së nënshtrimit, sepse ata të palë tjetër ua kanë zënë “bishtin” me dëshmi të përdorshme nëpër sirtarë. Kur të ndodhë kjo lëvizje kur secili të kthehet në vendin e vet, atëherë mund të themi se jemi kthjellë nga lakmia dhe se më në fund jemi çliruar nga prodhuesit e filozofisë së nënshtrimit.