Lidhja Demokratike e Kosovës edhe në këtë seancë plenare është përplasur me ministrin Pal Lekaj për 63 milionë euro që Bechtel&Enka ka kërkuar shtesë nga Qeveria e Kosovës.
Ministri Lekaj sërish ka përsëritur se kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së qeverisë së kaluar.
“Sa i përket këtyre 63 milionëve nuk i kam prodhuar unë, nuk i kam imagjinuar unë, por është kërkesë e Bechtel&Enka që të paguhen 63 milionë për vonesat dhe shlyerjen e obligimeve buxhetore që kanë qenë të zotuara në kontratë”, ka thënë Lekaj.
Por, ish ministri i infrastrukturës Lutfi Zharku i ka kërkuar sqarime Lekës se si është e mundur që Bechtel Enka ua ka kërkuar atyre 63 milionë euro derisa qeverisë së kaluar vetëm 14.78 milionë.
“Ekziston marrëveshja, Qeveria, komisioni ndërministror ka marrë vendim për shumën prej 14 milionë eurove. Unë po kërkoj nga ministri le të na sqarojë si është e mundur që me ne të merren vesh 14. 78, kurse këtyre ua kërkon 63 milionë”, ka thënë ai.
Në përgjigjen e tij ministri Lekaj i ka pyetur deputetët se pse po iu djeg aq shumë kjo çështje.
“Unë nuk e di pse kaq shumë po iu djeg, do të dalin edhe gjëra tjera sepse ende duhet t’i sqarojmë ato që i keni ndërmarrë” ka thënë Lekaj.
Ndërkohë ish-ministri i financave Avdullah Hoti tha se, “i vjen keq që në krye të ministrisë së infrastrukturës është një ministër që nuk i lexon kontratat”.
© KOHA.