Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, menjëherë pas betimit në një prononcim për Ekonomia Online tha se tha se problemet brenda partisë së tij mund të zgjidhen dhe se ato nuk e ndalojnë që ai t’i shpreh mendimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
“Besoj se Lëvizja Vetëvendosje anëtar i cilës jam, ka mjaftueshëm edhe demokraci edhe dokumente që këto çështje t’i zgjedh brenda organeve të saj. Unë mendimet e mija i kam shpreh dhe do t’i shprehi brenda organeve të Lëvizjes Vetëvendosje ndërsa jashtë saj do t’i shpreh qëndrimet e lëvizjes tonë”, tha ai për Ekonomia Online.
Ndërkaq ai vlerësoi koalicionet të cilat janë bërë brenda komunës së Prishtinës kanë marrë votat e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, mirëpo pranoi që ka pasur 4 vota kundër vendimit që drejtoria e Inspeksionit t’i jepet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Të dy koalicionet edhe me AAK-në edhe me AKR-në janë votuar gati se me vendim unanim, më duket se kanë qenë prej 180 anëtarëve a 200 sa i ka këshilli, kanë qenë diku 3 ose 4 kundër. Natyrisht që ndonjëherë do të ketë zëra kundër që nuk pajtohen, por kur i ki mbi 170 vota për, ky është aprovim i plotë”, u shpreh Ahmeti.
Ai gjithashtu numëroi edhe punët me të cilat do ta vazhdoj punën si kryetar i Prishtinës.
“I kemi 100 zotimet, fillojmë prej janarit me pagesat e mbeturinave në komunë dhe riorganizimin krejt të logjistikës së pastrimit që besoj që deri në fund të vitit 2018 do ta kemi qytetin e pastruar. Pastaj zbatimin e buxhetit ku e kemi tregun e ri, vazhdimi I kolektorëve dhe shumë punë të tjera”, shtoi ai.