Ramush Haradinaj ka bërë ujdi për financim të një mashtruesi. I pari i Qeverisë së Kosovës, me një nënshkrim ia ka mundësuar kreut të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, të dënuar për mashtrim të bankave, ti marrë edhe 57 mijë euro nga taksat e qytetarëve.
Me arsyetimin e organizimit të “Javëve të biznesit kosovar”, Qeveria e Kosovë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me organizatën e Shahinit të promovojë ekonominë, e të rrit konsumimin e prodhimeve kosovare nga 29 nëntori deri më 17 shkurt në të gjitha trevat shqiptare.
Gazeta Fjala, ka siguruar këtë dokument, të mbajtur sekret nga kabineti i Haradinajt, me të cilin obligohen gjashtë ministri të Qeverisë së Kosovës ti ndajnë nga 9,500 euro secila për të mbështetur këtë aktivitet.
“Qeveria e Kosovës merr obligim që përmes ministrive përkatëse… të mbështes financiarisht projektin për promovimin e prodhimeve vendore me moto: Unë konsumoj produkte vendore po ju?”.
Sipas marrëveshjes Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillim Rural, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – KIESA, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarresisë dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike duhet të ndajnë nga 9,500 euro, ku secilës ministri do ti dërgohet kërkesa nga AKB bashkë me këtë memorandum.
Kjo demanton kabinetin e Haradinajt, të cilët në një përgjigje për Gazetën Fjala kanë thënë se nuk ekziston asnjë mbështetje e aktivitetit që ZKM-ja i ka bërë Aleancës së Agim Shahinit.
“Sa i përket pyetjes tuaj lidhur me përkrahjen e ofruar për Aleancën Kosovare të Biznesit, dhe pas diskutimeve edhe me Sekretariatin Koordinues të Qeverisë, ju njoftojmë se nuk ekziston asnjë mbështetje e aktivitetit që ZKM-ja i ka bërë Aleancës në fjalë”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së për Gazetën Fjala.
Lidhja e Haradinajt me Shahinin
Në ceremoninë e fillimit të “Javëve të Biznesit Kosovar”, kreu i AKB-së gati sa e vuri në siklet kryeministrin Haradinaj nga lëvdatat. Ndërsa këtë të fundit në shkurt të këtij viti Shahini e pati vizituar edhe në Strasburg të Francës, ku ishte ndaluar për shkak të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia.
Vizita ishte realizuar dymbëdhjetë ditë pas shqiptimit të dënimit me burgim me kusht ndaj Agim Shahinit për mashtrim.
Me 13 shkurt Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri ka dënuar me 18 muaj burg me kusht, kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Sipas gjykatës, Shahini është dënuar për mashtrimin e TEB Bankës në shumën prej 250 mijë euro.
Por ai akuzohet edhe nga një bankë tjetër, për mashtrim. Veçse shuma është dyfish më e madhe.
“Raiffeisen Bank” më 5 maj të vitit 2010 kishte dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë një kallëzim penal kundër tij për veprën penale-mashtrim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 dhjetor 2013 nisi hetimet kundër Agim Shahinit.
Por për dallim prej rastit të TEB-it, rasti i bankës “Raiffeisen” ende nuk ka nisur. Kështu së paku ka thënë, avokati i Agim Shahinit, Granit Vokshi për medie.
Shahini i dha Haradinajt titullin e dyshimtë
Ramush Haradinaj e Agim Shahini kanë edhe një lidhje tjetër të përbashkët. Haradinaj këtë vit është bërë “Misionar i Paqes” përkrah njeriut që mashtroi me mbi gjysmë milioni euro bankat kosovare.
Ndërsa ka marrë nga ai edhe një titull që dyshohet të jetë gjithashtu mashtrues.
Bëhet fjalë për titullin “Misionar i Paqes” dhe Medaljen “Golden Ambassador Richard Holbrooke”, që i është ndarë nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet dhe Misioni Diplomatik Amerikan për Paqen Botërore.
Organizata me seli në Shqipëri, nga e cila kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj mori këtë çmim dyshohet për shitje të titujve në emër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
OJQ “Misioni diplomatik Paqe e mirëqenie”, sipas një hulumtimi të emisionit investigativ italian “Strisca la notizia”, vitin e kaluar, del se jep çmime me titujt si diplomatë të OKB-së në shkëmbim të 7 mijë eurove.
Sipas emisionit protagonist i këtij skandalit është kryetari i organizatës Shefki Hysa, i cili ka lëshuar tituj si “Diplomat i OKB”, “Konsull Nderi i OKB” e “Misionar i Paqes i OKB” me një kartë diplomatike “fallso” të OKB e një targë makine diplomatike “fallso” nën premtimet e lehtësirave administrative në kufij doganorë e policorë.
I njëjti person ka dekoruar edhe Haradinajn në Prishtinë.
Shefki Hysa, drejtor i Misionit të Paqes dhe Prosperitetit pati thënë se Haradinaj nuk i përket vetëm Kosovës, por gjithë botës për paqe.
“Sa herë që ne kujtojmë që kemi hero si Ramushi, na thonë t’i harrojmë, por a harrohet lufta e UÇK-së për paqe dhe prosperitet, kjo luftë bashkë me Ramushin nuk harrohet sepse ato ishin sakrifica të bijve e bijave të popullit shqiptar”, ka thënë Hysa.
Ndërkaq, Agim Shahini që në ceremoninë e ndarjes së titujve u prezantua si pjesë e delegacionit diplomatik për paqe e ka krahasuar Haradinajn me Gandin.
“Sot ju z. Haradinaj do të merrni Medaljen e Paqes. Ky është privilegj dhe përgjegjësi, sepse ju do të udhëhiqni shtetin e Kosovës dhe kjo certifikatë që u vulosë nga Amerika akademike të takon ty nderi i gjithë popullit shqiptar. Mediat do të shkruajnë për ju si Gandi i dytë i Ballkanit”, ka thënë Shahini.