Jeta më e mirë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim bëhet vetëm duke u pajtuar për bashkëjetesë, bashkëpunim dhe partneritet mes vete. Kështu ka thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Kreu i shtetit ka shtuar se dialogu në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë është prioritet i tij.
“Më vjen mirë të konstatoj se gjatë këtij viti kemi arritur të promovojmë edhe më shumë dialogun në mes komuniteteve. Vlen ta përmendi këtu themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ky institucion do të promovojë dialogun në mes komuniteteve të Kosovës dhe do të angazhohet për mbylljen e kapitullit të luftës për të gjitha komunitetet. Jeta më e mirë ndërtohet duke u pajtuar për bashkëjetesë, për bashkëpunim, për partneritet në mes të gjithë neve”, tha Thaçi.
Ai e ka përkrahur edhe kërkesën e Këshillit Konsultativ për Komunitete për shtimin e buxhetit. Derisa ka ftuar të gjitha komunitetet që të bëhen pjesë e përgatitjeve për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë sepse Kosova është atdhe i të gjithëve.
“Kjo festë do të jetë festë për të gjithë ne. Ju ftoj që të bëheni pjesë e përgatitjeve për shënimin e kësaj date të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Komunitetet janë pasuri e jona. Jemi krenarë që kemi ndërtuar një shtet mbi parimet e barazisë dhe të drejtave të garantuara për të gjitha komunitetet. Këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës që u referohet të gjitha dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen dhe promovimin e të gjitha komuniteteve. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj
Kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Gazmen Salijevic, ka vlerësuar se viti 2017 ka qenë njëri ndër me të mirët për këtë këshill, ndonëse ende vazhdojnë të përballen me sfida të shumta si komunitete.
“Duhet të theksoj se përveç këtij viti të suksesshëm ne edhe me tutje si përfaqësues të komuniteteve përballemi me sfida të cilat përballen edhe anëtarët e komuniteteve tona. Mungesë e literaturës, teksteve mësimore për boshnjakët, turqit edhe me tutje janë problem edhe pas këtyre viteve të ekzistimit të këtij këshilli. Sfidat e punësimit, integrimit, bashkëjetesë ende qëndrojnë. Ajo që na inkurajon në punën tonë, në punën e këshillit ekziston një shpresë dhe komunikim i shëndosh me zyrën e kryetarit dhe vet kryetarit që duhet të vazhdojmë të komunikojmë me institucionet relevante”, u shpreh Salijevic.
Lendrit Qeli nga komuniteti Egjiptian, ka informuar për gjendjen që ndodhet ky komunitet.
“Komuniteti Egjiptian muajve të fundit dhe sot po përballet edhe me sfida në fushën e shëndetësisë ku nga epidemia e fruthit që ka kapluar komunitetin egjiptian, romë dhe ashkalinjë, ku edhe një fëmijë humbi jetën për mungesë të ilaçeve kryesore….sfide për komunitetin egjiptian është mos respektimi i ligjit për shërbyesit civil me të cilin parashihet së paku 10 për qind që të punësohen nga komunitetet si shërbyes civil, ky komunitet ende në tërë Kosovën ka vetëm 14 të punësuar gjë që ky ligj nuk është respektuar duke nisur nga Ministria për Komunitete dhe Kthim ku s’e kemi asnjë të punësuar nga komuniteti egjiptian. Bile fatkeqësisht edhe në presidencë”, theksoi Qeli.
Lazar Radulovic nga komuniteti boshnjak, theksoi se komunitetet në Kosovë kanë problemet e njëjta, porse ai ka përmendur problemet dhe sfidat me të cilat po përballet komuniteti që ai përfaqëson.
“Dhe ato janë mungesa e teksteve mësimore në shihen boshnjake, drejtimi ekonomik në Prizren nuk është funksionalizuar edhe pse janë siguruar mjetet buxhetore me kohë dhe është angazhuar kuadri mësimor kualitativ. Problemi i nostrifikimit të diplomave, problemi i mos-përmbushjes së 10 përqindëshit për punësimit të pakicave në masë me të madhe na godet neve boshnjakëve”, u shpreh ai.
Edhe anëtarët tjerë të këtij Këshilli, kanë vlerësuar punën e këtij Këshilli, por edhe sfidat me të cilat përballen si komunitete