Autor: Fejzi Hajdari
Ky muhabeti bisedimeve të katër partive ‘kryesore’ politike në Maqedoni, po i ngjanë asaj thënies së famshme: U morën vesh, për tu mos marrë vesh!
Gjykuar nga ajo që u tha në formë Kumtese nga takimi dhe sidomos nga deklarimet e partive politike pjesëmarrëse në bisedime, nga jashtë krijohet përshtypja se këtij dokumenti politik-Marrëveshjes, i mungojnë gati të gjitha mekanizmat dhei instrumentet, për tu implementuar, ajo për të cilën janë zotuar dhe dakorduar protagonistët.
Vetëm sa për ilustrim një shembull hipotetik: Cili ministër i Punëve të Brendshme i BDI-së, do të guxonte të jepte urdhër-arresti për arrestimin e Mijallkovit ose ndonjë funksionari tjetër të lartë të VMRO-së, në rast se një gjë të tillë do ta kërkonte Prokuroria Speciale? Asnjëri, ama asnjëri…
Këtu më duket se fillon dhe mbaron, halabakllëku i Marrëveshjes, gjë për të cilën në masë të madhe po kontribuojnë edhe ndërkombëtarët, të cilët kanë filluar ta marrin rolin e kukullave në Maqedoni. T’i shikosh ambasadorët e shteteve perëndimore se si bëjnë përpjekje për të na bindur, megjithëse edhe vetë nuk ju besojnë marrëveshjeve të tilla, aq me pak Gruevskit dhe Alisë, me tamam të villet. Thjeshtë, ata po tallen me gjithë qytetarët e Maqedonisë, gjë që po i mundëson edhe Gruevskit të luaj: “lojën e maces dhe miut” .
Cili mekanizëm, ose cila forcë (cila është garanci) do të mundësojë pastrimin e Listës zgjedhore nga votuesit fiktivë?
Nuk ka… ju sigurojë se nuk ka një siguri dhe garanci të tillë. Në këtë mënyrë domethënë krijohet hapësirë për zgjedhje jolegjitime, sepse mospastrimi i Listës zgjedhore e mundëson një gjë të tillë. Disa herë është thënë se VMRO-BDI me këtë Listë zgjedhore, me rreth 300 mijë votues fiktivë, jo vetëm opozitën e tanishme, por edhe partinë e Angela Merkel (CDU) do ta fitonte në zgjedhje. Pra, thjeshte, po lihet dyshimi, se po përgatitet (kuptohet nëse mbahen zgjedhjet në afatin e paraparë) një cikël zgjedhor ku do të kishte vjedhje dhe jo zgjedhje. Këto bisedime e zhveshën edhe LSDM-në nga zotimi se kinse ka fuqi opozitare, dhe se paraqet ndonjë forcë në opozitë. Thjeshtë, Zaev po tregon se ka shumë probleme brenda partisë së tij dhe se nuk posedon as çerekun e kapacitetit të nevojshëm politik, për të mposhtë rivalin e tij Nikolla Gruevskin.
Pra, Marrëveshja e arritur është vetëm se edhe një përpjekje për të lënë përshtypje…, medemek ndërkombëtarët po mundohen, kurse faktori politikë po “e zhbllokon” procesin, fundi i të cilit gjithsesi nuk dihet kurrë…