Milionat ruse që po trazojnë Ballkanin

Sakte.net / e Hënë 26 Shtator 2016 / 11:11

Të dielën e djeshme, serbët e Bosnjes, të grumbulluar në atë gjetje fatkeqe me emrin Srbska Republika, Republika serbe e Bosnjes, dolën në një referendum ilegal, përmes së cilit do të vendosin rregulla të reja në lojën e politikës boshnjake, duke kërcënuar për shkëputjen e tyre nga krijesa dejtoniane e Bosnje Hercegovinës. Janë trimëruar nga rublat ruse, që të përkthyera shumë shpejt do të jenë mbi 100 milion euro, dhe të cilat, veç nacionalizmit të çartur serb, do të “ushqejnë” edhe klasën politike që udhëheq në këtë copëz republike.

Në Bosnje gjithçka po shkon drejt një përplasjeje, e cila, si duket edhe nga faktet e deritashme, edhe nëse nuk do të jetë fatale, do të ketë pasoja. Në mos tjetër, pasoja të rënda politike.

E gjithë ajo që është nënshkruar në Dejton do të hidhet në erë. Nga skutat do të dalin gjithëfarë lëvizjesh gjithësesi regresive dhe pas saj pakkush do të jetë i qetë.

Nënshkrimi i largët i Dejtonit që krijoi këtë republikë tre palëshe mund të zhbëhet shumë shpejt dhe, ashtu si papritur, por në fakt e përgatitur që në ditët e nënshkrimit të marrëveshjes, kjo pjesë boshnjake e populluar me serbë, shumica të shpërngulur, një ditë do të jetë pjesë e Serbisë së Madhe.

Elita politike beogradase, qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë, po bën sikur nuk e do këtë lëvizje politike, megjithëse drejt kufirit ka nisur forcat e saj ushtarake dhe, sado që të mundohen të mbulojnë me perde atë që po ndodh, gjithçka është e qartë.

Boshnjakët kanë disa kohë që janë të trazuar. Të paharruar ende me krimet e luftës të 20 e ca viteve më parë, ata kanë ende në kujtesë krimet serbe dhe kjo i bën edhe më të rënda përjetimet e sotme.

Mund të ndodhë që të jetë një varg shpërthimesh politike, të cilat mund të çojnë në ndarje e probleme të reja, por, edhe në se asnjëra prej tyre nuk do të ndodhë, konflikti i tashëm është i mjaftueshëm për të ndezur pasionet nacionaliste serbe, përballimin boshnjak me agresivitet dhe qetësinë kroate, që megjithëse qëndron në heshtje, ajo mund të jetë përfituesja më e madhe e këtij sherri që ndjell luftë dhe përgjakje.

Srbska Republika ka ndezur të gjithë këmbanat. Nga kishat e politikës dhe nga politika kishtare është dhënë sinjali i njëjtë, atë që kemi kaq dekada që e dëgjojmë.

Këmbanat po dëgjohen në Sarajevë, por është koha të dëgjohen edhe në Prishtinë. Këmbanat bien për t’u dëgjuar dhe, më parë se gjithë të tjerët, duhet ta dëgjojnë politika e Prishtinës dhe, pas saj, ndoshta paralel me të, edhe elita politike shqiptare në Tiranë.

Përse duhet ta dëgjojë Prishtina?

Bosnja nuk është larg, edhe ajo ka kaluar, para Kosovës, përmes llavës së luftës. Është djegur e përzhitur mizorisht, edhe në praninë ndëkombëtare, të cilët, pas masakrave, kanë ngritur duart si të pafajshëm.

Në Bosnje u krijua një enklavë serbe, që megjithëse mezi duket në një hartë evropiane, përsëri mori emrin e republikës, brenda republikës. Një shartim i dyfishtë politik. Pas qetësisë që serbët ndien pas krimeve, ende e quanin veten fajtorë, tani vjen revanshi i tyre, dhe nesër mund ta quajnë veten viktima.

Një gjendje e tillë, mund të krijohet edhe në Kosovë, përmes procesit të quajtur “Zajednica”, ose krijimi i Asosacionit komunal me shumicë serbe. Nuk do të ketë emrin e republikës, nuk do të jetë pjesë e treshes presidenciale, nuk do të ketë përfaqësuesin e saj në presidencë, si zevendsues rotativ, por do të ketë, si deri tani, një zëvendëskryeministër, ministra, pushtet politik e parlamentar.

Të gjitha këto të fundit janë krijuar e miratuar përmes Pakos së Ahtisaarit, dhe si të tilla kanë fuqi ligjore të pakundërshtueshme. Deri më tani, zërat e kundërshtimit kanë qenë të pakët, ndoshta nga që e dinë se kalimi në pushtet ose mbajtja e pushtetit, duan apo nuk duan, kërkon edhe miratimin ndërkombëtar.

Sido që të thonë dhe sido që të mendohet, krijimi i këtij Asosacioni, i cili në pamjen e parë duket të jetë thjeshtë administrativ, do të jetë një forme e republikës brenda republikës, por pa pasur emërin e saj. Do të quhet Asosacion, por, pas disa viteve, kush mund të jetë i sigurtë se nuk do të kthehet në një formë republike brenda shtetit të Kosovës, e më pas, do nuk do të ndodhë ssi këtë të diel në Srbska republika?

Në Prishtinë ka disa javë që zien debati për Kishën Ordhodokse serbe, ngritur në kompleksin universitar. Një Kishë, e cila më shumë se sa një kult fetar është një dëshmi e dhunës mbi Kosovën, edhe kur ajo kishte të ashtuquajturën pushtet të dyfishtë. Ajo kishë filloi të ngrihej nga regjimi i Millosheviqit, me praninë e Arkanit, si dëshmi se në Serbi politika dhe krimi janë të njëjtë.

Ka 24 vite që kjo kishë është aty, e nisur, e pambaruar, e nëmur, por e pa ngarë; sherr i politikës dhe heshtje ndaj saj. Kanë kaluar bri saj katër presidentë, Rugova, Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga, kanë shkuar disa kryeministra, Rexhepi, Haredinaj, Kosumi, Çeku, Thaçi, në fakt bri saj ka shkuar e gjithë trupa politike e Kosovës, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet e kush në opozitë.

Tani ka lindur ideja e prishjes së saj. Ajo, në fakt, duhej prishur me kohë dhe jo të bëhen tani deri hipotezat më absurde që bri saj, si është  Katedralja, të ngrihet edhe një xhami e madhe, pastaj dikush tjetër do të kërkojë edhe një Teqe, megjithëse në Kosovë nuk ka besimtarë bektashinj, etj.

Por, më e ngutshme se sa prishja e saj është ajo që mund të ndodhë me krijimin e bashkësisë serbe në një strukturë të vetme.

Pa mohuar të drejtën e tyre për jetë të barabartë, në fakt kanë gjithë të drejtat e botës, sa jam i bindur, asnjë pakicë në këtë bashkësinë europiane, shteti ka ligjet, rregullat dhe perspektivën e vet.

Mes të tjerave ka edhe të drejtën historike, e cila, edhe sot e kësaj dite, duam apo nuk duam, nuk përcjell tek mendimi politik në Kosovë, reflektimin serioz.

Pak kush në këtë kontinent ka qenë i informuar për xhamitë e hedhura në erë nga makineria serbe në luftën e Kosovës, pak kush e di në Europë, deri në selitë më të larta të tij, deri në hollësitë e domosdoshme, krimet që janë bërë, masakrat e zhvilluara, qoftë edhe në kontekstin e religjionit. Por të gjithë e dinë se sa kisha, edhe pse të shtuara në propagandën serbe, janë djegur në marsin e vitit 2004, megjithëse askush nuk e di se nga kush u dogjën dhe pse nuk u dogjën gjatë luftës ose menjëherë pas saj, kur dhimbja mund të justifikonte djegiet.

Politika serbe është mjeshtre e dizinformimit. Ajo prej kohe, që nga shtatori i vitit 1999, dy muaj pas luftës, ka nisur tezën e viktimës së ekstremistëve shqiptarë dhe, si mendohet, ajo ka paraqitur mbi 300 mijë faqe dëshmi, shumica të ngritura nga hiçi, për “krimet” në Kosovë.

Kjo politikë, duke ngulur këmbë fort në krijimin e “Zajednicës” sot, me premisa për të drejta qeverisëse, nesër mund të bëjnë që këmbanat e kësaj strukture të bien ndryshe.

Janë këmba edhe për Tiranën zyrtare, e cila, edhe pse ka hequr dorë nga paternaliteti ndaj politikës në Kosovë, dhe mirë ka bërë, duhet ta ndjejë si një çështje të saj, tepër të afërt, ndoshta më të afërtën në politikën e saj ballkanike.

Këmbanat bien për të dëgjuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme