I pari i shtetit, por edhe i pari i Gjykatës Supreme, po kërkojnë përfundimin e mandatit të Misionit të EULEX, pasi siç thonë ata, Kosova është e gatshme të përballet me problemet e veta. Por, kështu nuk mendon vetë misioni. Për Express, EULEX thotë se e ardhmja e tyre vendoset nga BE’ja, e në konsultim me palën kosovare.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci ishin të qartë në mesazhet ndaj EULEX, se ky mision duhet ta përfundojë mandatin në Kosovë. Madje, Presidenti ua kujtoi edhe afatin kohor. Ai tha se verën e vitit të ardhshëm, EULEX do ta përfundojë mandatin e tyre të plotë në vend.
Ngjashëm ka deklaruar edhe i pari i Gjykatës Supreme, Enver Peci. Bile, ai kërkoi qartazi nga EULEX që ta përfundojnë misionin, pasi siç tha ai në një ligjëratë, ka ardhur koha që Kosova të përballet me problemet e veta.
Por, në një përgjigje për Gazetën Express, EULEX thotë se e ardhmja e tyre pas vitit 2018, do të vendoset nga vendet e Bashkimit Europian në konsultim me autoritetet kosovare.
“Prej vitit 2012 e deri më sot, Misioni ka qenë i përqendruar në reduktimin e numrit të personelit duke e implementuar mandatin, i cili përfundon në qershor të vitit 2018”, thotë EULEX, por duke potencuar se periudha në vazhdim do të ketë në fokus tranzicionin e funksioneve dhe përgjegjësive të Misionit tek autoritetet vendore ose tek akterët tjerë relevantë të Bashkimit Evropian.
Për këtë proces, EULEX tha se është në vazhdim.
Presidenti Thaçi për çështjen e EULEX ka folur në fjalimin e mbajtur para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dy javë më parë.
Ai pati thënë se me qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e Misionit EULEX, duke shtuar se si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, “të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare”.
“E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE, dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj. Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi, dhe vetëbesim”, pati thënë Presidenti.
Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit, është i vendosur në Kosovë që nga qershori i vitit 2008./GazetaExpress/