Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se Nasim Haradinaj do të duhej të kërkonte falje për deklaratën e tij për aktivistët e vrarë të LDK’së.
“Gjuha e përdorur nga përfaqësuesi i shoqatave të luftës, Nasim Haradinaj, lidhur me vrasjen e shumë personaliteteve të pasluftës, që kanë qenë edhe aktivistë të LDK’së, është e papranueshme dhe e dënueshme e cila nuk duhet të zëjë vend në Kosovë. Nuk duhet të zëjë vend jo vetëm nga përfaqesuesit e lartë të Kosovës por as nga qytetarët e zakonshëm të vendit Mendojmë se Kuvendi do të duhej ta thoshte fjalën e vet që një fjalor i tillë të jetë i papranueshëm. Do të ishte mirë që zotëria që ka përdorë një fjalor të tillë të dalë të kërkojë falje edhe ndaj familjarëve të cilët nuk po mujnë me gjetë qetësi që prej kur janë vrarë familjarët e tyre. Zotëri Haradinaj do të duhej të dilte të kërkonte falje dhe kjo do të ishte më e pakta që do të mund të ndodhte”, ka thënë Konjufca.
Këtë ai e ka thënë pasi LDK ka paraqitur një mocion ku kërkohet të dënojë gjuhën e përdorur nga Haradinaj.
Edhe PDK ka mbështetur një mocion të tillë derisa AAK ka thënë se ‘ata janë që të hetohen të gjitha vrasjet e pasluftës./Periskopi/