Nëse sonte arrihet të zhbëhet Gjykata Speciale për Krime Lufte, atëherë Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) pritet që të miratojë një Gjykatë të vecantë Speciale për Kosovën.
Kjo gjykatë nuk do të jetë më nën juridiksionin e Kosovës, por do të jetë plotësisht ndërkombëtare, siç ka qenë Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë, kanë paralajmëruar burime ndërkombëtare për Insajderin.
Themelimi i një gjykate të tillë pritet të formohet nëse Kuvendi i Kosovës zhbën Ligjin për Gjykatën Speciale. 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që të mbahet sonte seanca e jashtëzakonshme për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, raporton Insajderi.
Ashpër kundër një veprimi të tillë është shprehur numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk dëshiron që Kosova ta shkatërrojë të ardhmen e saj.
“Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Delawie. “Ideja për të ndryshuar ligjin e Gjykatës Speciale mund të izolojë globalisht Kosovën. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”.
Kujtojmë se ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.