Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka deklaruar se LDK është kundër çdo veprimi që e kthen Kosovën në kornizat e rezolutës 1244.
Këto komente ai i bëri me rastin e manifestimit të 28 vjetorit të themelimit të LDK-së ku të pranishëm ishin familja e ish kreut të këtij subjekti, Ibrahim Rugova, dhe anëtarë të shumtë nga të gjitha komunat.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se grupi parlamentar i LDK-së vlerëson se çështjet jetike për ekzistencën e vendit si ai i Gjykatës Speciale duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim.
tij, shfuqizimin e Dhomave të Specializuara po e kërkojnë ata që e themeluan atë.
“Lidhja Demokratike vlerëson se drejtësia duhet të zbatohet në të gjitha rastet dhe për të gjithë pa dallim se duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe se Kosova do t’i përmbahet kontratave ndërkombëtare. Ne nuk shohim asnjë arsye për shfuqizim të këtij ligji dhe do të kundërshtojmë çdo veprim i cili rrezikon jetësinë e shtetit tonë dhe na kthen në kornizat e rezolutës 1244. Lidhja Demokratike nuk e ka kërkuar themelimin e kësaj gjykate, Lidhja Demokratike ka kërkuar drejtësi. Themelimin e kanë kërkuar dhe e kanë shkaktuar të njëjtit që sot organizojnë shfuqizimin e saj, e kanë kërkuar dhe e meritojnë ata dhe të sojit të tyre që deklarojnë që është punë e madhe që janë vrarë veprimtarët e LDK-së”, tha ai, përcjell Kosovapress.
Kreu i LDK-së tha se drejtësia e Kosovës e ka me detyrim që për të gjithë veprimtarët e këtij subjekti politik të cilët janë vrarë të ndriçojë të gjitha rrethanat e vrarjes së tyre.
Mustafa tha se Lidhja Demokratike e Kosovës sivjet 28 vjetorin e saj e feston si partia e parë në vend për nga numri i komunave që udhëheqë pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.
Ai pati edhe një mesazh për rivalët politik të cilët sipas tij janë kundër Lidhje Demokratike të Kosovës duke thënë se LDK së shpejti do të udhëheqë Kosovën.
Ai tha se subjekti që ai drejton është opsioni i vetëm politik që e dërgon Kosovën përpara.
“Lidhja Demokratike e Kosovës sot është partia më e fuqishme politike e konfirmuar si e tillë më 22 tetor ku LDK mori më së shumti vota nga qytetarët e Kosovës, LDK është bartëse e opozitarizmit në përballje me qeverisjen më të keqe dhe më agresive që ka pasur vendi që nga pas lufta. LDK sot është opsioni i vetëm politik në sytë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar që mund ta çojë Kosovën përpara”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka pasur një mesazh të gjithë rivalëve politikë.
“Shumë shpejt Lidhja Demokratike e Kosovës do ta udhëheqë Kosovën. Do ta udhëheqë Kosovën për ta shkëputur nga izolimi sikurse 28 vjet më parë, për ta drejtuar nga perëndimi dhe kah perëndimi sikurse 28 vjet më parë dhe kjo është e arritshme me programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me vizionin e saj dhe me qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se bashkimi i të gjithë rivalëve politikë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, qytetarëve ua ka qartësuar realitetin dhe në sytë LDK është zgjidhja e vetme.
Gjatë manifestimit të 28- vjetorit të themelimit të LDK-së, Isa Mustafa tha se ky subjekt ka punuar shumë për shtet ndërtimin e Kosovës në momentet më kritike për vendin.
Manifestimi për shënimin e 28-vjetorit të themelimit të LDK për të gjithë të pranishmit vazhdoi me një program kulturor.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është themeluar me 23 dhjetor 1989 në krye me presidentin e parë të shtetit të Kosovës, njëherësh edhe kryetarin e parë të LDK-së, Ibrahim Rugova.
Me rastin e 28 vjetorit të themelimit të LDK-së krerët e këtij subjekti kanë bërë homazhe tek varri i ish Presidentit të Kosovës.