Pritën gati 4 vjet, duke jetuar me qira nëpër objekte të ndryshme. Ata u dëshpëruan shumë kur nuk fituan banesë në lagjen “Hajvalia”.
Por dy të moshuarit të cilët liruan shtëpinë e tyre në “Arbëri” që të ndërtohet rruga, tani janë vendosur në banesat më të përfolura në Prishtinë, ato të komunarëve në “Bregun e Diellit”, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Komunarët thonë se banesa ku u vendosën të moshuarit ishte pa emër, e titulluar vetëm NN dhe e cila ishte keqpërdorur disa herë. Edhe dy banesa të tjera pa titull iu dhanë familjeve që komuna duhej t’i kompensonte.
Por të gjitha këto nuk janë falur dhe janë dhënë vetëm në shfrytëzim në një kontratë tre vjeçare. Në shfrytëzim ishin dhënë edhe banesat ku jetojnë disa nga ish zyrtarët komunalë, kryesisht nga LDK-ja.
Kontratat e tyre përfundojnë në fillim të vitit 2018 dhe gjasat që ato t’u vazhdohen janë të vogla.
Derisa është Kuvendi Komunal ai që do të vendosë për vazhdim apo jo të këtyre kontratave, Vetëvendosje ka arritur që me partnerët e koalicionit që janë nga AKR-ja dhe AAK-ja të ketë shumicën.
E mbetet të shihet se çfarë do të bëjë qeverisja e Ahmetit me këto banesa nëse i merr ato nga zyrtarët e LDK-së e PDK-së – t’i dhurojë ato për punëtorë të tjerë apo t’ua japë familjeve në nevojë.