Femrat në Kosovë, jo rrallë ballafaqohen me probleme sa i përket ndarjes së pasurisë në raste divorci. Shumë nga to nuk marrin asgjë, e disa marrin një pjesë të vogël, por kjo gjendje duhet të ndryshojë menjëherë dhe se nuk duhet të zgjasë më.
Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, Luljeta Aliu, e cila si qytetare e këtij vendi, ka marrë një iniciativë, për ndryshim të Ligjit për Familjen, specifikisht për njohjen e barasvlefshmërisë së punës në familje, duke kërkuar që ligji të përcaktojë qartë, që në rast të ndarjes, pasuria e përbashkët të ndahet në dy pjesë të barabarta.
Propozim këtë të cilën tashmë ajo e ka dorëzuar në Komisionin për Legjislacion dhe se shpreson që propozimi i saj, të shkojë në seancë për shqyrtim.
Por për këtë i duhet përkrahja e së paku, gjashtë deputetëve.
Ajo thotë se çalon implementimi i drejtë i ligjit që është në fuqi dhe se për këtë gratë në Kosovë, dëmtohen skajshmërisht në rast të ndarjes nga bashkëshorti.
“Në momentet kur hyhet në martesë, pasuria konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët e bashkëshortëve, e cila ndahet në pjesë të barabarta. Qëllimi i kësaj analize ka qenë që të rregullohet pjesa e praktikës ligjore, meqë aty çalon implementimi i drejtë i këtij koncepti dhe për atë arsye dëmtohemi skajshmërisht gratë në Kosovë”, thotë ajo.
Ajo gjithë këtë e quan dhunë ekonomike dhe se sipas saj gratë për këtë arsye, detyrohen të qëndrojnë në një situatë të pa dinjitetshme dhe të mos kërkojnë divorc.
Thotë se barasvleshmëria e punës, është një prej gjërave me fer dhe më të drejta që gratë mund t’i kërkojnë.
“Gratë në Kosovë jo vetëm shkaku i shpresës qëndrojnë në një situatë të pa dinjitetshme, por dhe shkaku i dhunës ekonomike. Në momentin kur kërkon gruaja me u nda prej burrit dhe shkon në Gjykatë, praktika ligjore e vendos për pasurinë e përbashkët në mënyrë kogja arbitrare, sepse me ligj nuk është e përcaktuar se si duhet të ndahet pasuria e përbashkët. Edhe pse ligji e thotë se bashkëshortët janë pronarë të barabartë të pasurisë, neni 47 thotë që pasuria e përbashkët krijohet me punë, gjatë vazhdimit të martesës. Puna nuk është e definuar si punë jashtë shtëpisë apo në shtëpi”, thotë ajo.
Aliu e cila për këtë është bazuar dhe në ligjin gjerman për familjen, ku thotë se kërkesa e saj është vetëm theksimi në formë të shkruar që puna në shtëpi dhe jashtë saj, të jetë e barasvlefshme.
Ajo thotë se ndryshimi i këtij ligji nuk do ta rregullonte vetëm situatën e grave dhe të fëmijëve, por do ta rregullonte dhe zhvillimin shoqëror, pasi që gratë me ligjin në fuqi përjetojnë diskriminim të skajshëm.
Ndërsa shton se për të është e palogjikshme që edhe dhuna në familje nuk konsiderohet vepër penale.
Aliu ndër të tjera thotë se gratë në Kosovë e kanë edhe një problem të madh gjatë procesit të divorcit, pasi që gjyqtarët dhe avokatët korruptohen, e sidomos kur bëhet fjalë me familje me ndikim, qoftë ekonomik apo politik. /kp/Telegrafi/