Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Itali, pasi adoleshentja shqiptare nga Prishtina, Brikena Mehmeti, ka ndërruar jetë në spitalin e Trevisos. Trupi i Brikenës do të varroset në Prishtinë, qyteti i origjinës së kësaj vajze shumë të re.
Mbrëmjen e 15 dhjetorit, adoleshentja Brikena Mehmeti u hodh nga dritarja e banjës, teksa ishte në gjendje somnambuli.
Mediat italiane raportojnë se 16-vjeçarja vuante nga një çrregullim gjumi, që e çoi në mesnatë të ngatërronte derën e banjës me dritaren dhe të hidhej.
Ajo u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë, ku qëndroi për më shumë se një javë, nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Por një përkeqësim i papritur i mori jetën vajzës, e cila jetonte me prindërit dhe dy vëllezërit në Ramon, ku edhe studionte.
Kjo ka shtangur gjithë mjekët, të cilët mendonin se gjithçka po shkonte mirë dhe se Brikena kishte rifituar ndërgjegjen.
16-vjeçarja ra nga një lartësi prej katër metrash, ndërsa mjekët arritën në rezultatin se viktima kishte pësuar një sulm somnabulizimi, që e mori atë nga dhoma e gjumit dhe e çoi te dritarja, gjë e cila rezultoi fatale për jetën e saj.
Trupi i 16-vjeçares do të varroset në Prishtinë, i cili është qyteti i origjinës së vajzës së re, që u nda nga jeta një ditë para Krishtlindjeve.