Trump jep fjalën për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit

Kandidati i republikaneve për postin e presidentit në SHBA, Donald Trump ka deklaruar se në rast se zgjidhet president ai do të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga zyra elektorale e Trumpit, thuhet se kandidati republikan ka zhvilluar një takim ditën e djeshme me Kryeministrin izraelit, Benyamin Netanyahu, në rezidencën e tij në Trump Tower.

Në takim thuhet se janë diskutuar tema si ndihma ushtarake e SHBA-së ndaj Izraelit, marrëveshja për programin bërthamor të Iranit dhe lufta kundër DAESH-it.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Trump dhe Netanyahu ndajnë të njëjtin qëndrim përsa i përket paqes së vazhdueshme me fqinjët e Izraelit dhe në vazhdim thuhet: “Paqja në rajon është e mundur vetëm me distancimin e palestinezëve nga dhuna dhe urrejtja duke e pranuar Izraelin si një shtet hebre.”

“Trump mbron idenë se Jerusalemi është kryeqyteti 3 mijë vjeçar i hebrenjve. Në rast se zgjidhet si president ai do të pranojë kërkesën e Kongresit Amerikan të shtruar kohë më parë për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të pandashëm të Izraelit”, thuhet në deklaratën e zyrës elektorale të Trump.

Hapja dhe transferimi i Ambasadave i kaloi Presidencës së SHBA-së me anë të një ligji në vitin 1995. Kongresi Amerikan në të njëjtën kohë pranoi vendimin për transferimin e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem. Ndërsa Bill Clinton dhe George W. Bush nuk futën në zbatim ligjin. Nga ana tjetër Presidenti Barack Obama deklaroi në vitin 2011 se nuk do të transferonte Ambasadën e SHBA-së në Jerusalem për shkak të sigurisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme