Kështu thuhet në analizën e Grupit për Ballkan për 100-ditëshin e ekzekutivit që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, duke shtuar se demarkacioni me Malin e Zi, si dhe Gjykata Speciale janë dy tema tjera që janë trajtuar gjatë kësaj qeverisjeje.
Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se me çështjen e Asociacionit dhe të ushtrisë do të merren gjatë vitit të ardhshëm.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një e drejtë kushtetuese që parashihet edhe me Pakon e Ahtisaarit, i cili do të krijohet në afatin optimal duke marrë parasysh verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ndërsa sa i përket krijimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, Kosova e ka tashmë ushtrinë e vet, porse ajo duhet të legalizohet në aspektin ndërkombëtar duke e bërë këtë me ndryshimet kushtetuese”, ka thënë për “Zërin” këshilltari për medie i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi.
Kusari-Lila: Shumë premtime janë lënë pas dore
Në anën tjetër ish-ministri i Punës, Nenad Rashiq, ka deklaruar ditë më parë për gazetën “Zëri” se deri në gjysmën e vitit të ardhshëm nuk do të ketë as takime lidhur me çështjen e Asociacionit e lëre më të formohet kjo bashkësi. “Nuk jam optimist që diçka do të ndodhë në të ardhmen, edhe pse ka disa paralajmërime për fillim të vitit. Unë dyshoj që diçka konkrete do të ndodhë në atë drejtim.