Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale u zhbë për shkak të ndërhyrjes së ambasadorëve Greg Delawie dhe Ruairi O’Connell.
Dy partitë, LDK dhe VV, sipas Hazirit, vetëm u janë bindur kërkesave të këtyre dy diplomatëve. Iniciativën për shfuqizimin e Speciales, Haziri e sheh tashmë të komprometuar për shkak të reagimit qytetar, por jo edhe të mbyllur.
Lutfi Haziri thotë se ideja për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale tashmë është një iniciativë e komprometuar, marrë parasysh reagimet e qytetarëve, pas deklaratave të ambasadorëve.
Megjithatë, sipas Hazirit, kjo nuk do t’i ndalë iniciuesit nga tentimi për ta zhbërë Specialen.
“Procesi si i tillë nuk është i ndalur. Është i hapur. Peticioni i deputetëve është në fuqi. Tërheqja e nënshkrimit nga një listë e cila është formalizu dhe në këtë rast edhe Kuvendi, i trajtojnë si akt të kryer”, ka thënë Haziri për Gazetën Express.
Disa deputetë që nënshkruan mbajtjen e seancës për shfuqizimin e Gjykatës, më vonë thanë se janë mashtruar e i tërheqin nënshkrimet e tyre, por nënkryetari i LDK-së thotë se kjo nuk e ndal procesin tashmë të filluar.
“Tërheqja nuk nënkupton asgjë, përderisa nuk ka ndonjë iniciativë të re, të një numri të deputetëve me e kundërshtu, ose këta deputetë nuk e paraqesin me shkrim një iniciativë të re”, është shprehur Haziri.
Ai ka folur edhe për gatishmërinë e krerëve të lartë shtetërorë, Presidentin, kryeministrin e kreun e Kuvendit, për ta çuar deri në fund shfuqizimin e Speciales.
“Edhe kryeministri edhe presidenti, kanë deklaruar se do t’iu nënshtrohen procedurave kushtetuese në Kosovë, që nënkupton se nëse iniciativa merret nga deputetët, do të shkojë në Kuvend, dhe nëse Kuvendi e miraton, Presidenti ka me dekretu”.
Siç është thënë shumë herë deri më tani, edhe Haziri beson se iniciativa rreth Gjykatës Speciale është produkt i politikës.
“Formalizmat në Kosovë mund të përballohen nga iniciativa e deputetëve në Kuvend, e cila nga prapa ka hije politike. Vija politike është fakt. Ambasadori Delawie dhe ai britanik vetëm kanë tregu se çka ndodh nëse miratohet shfuqizimi i Ligjit në fuqi për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Haziri, pas natës së të premtes, kur vendi kaloi nëpër disa orë dramatike, kishte shkruar në FB se më shumë e kishin tmerruar deklaratat që vinin pas dështimit të procesit. Sipas Hazirit, disa deputetë po merrnin meritat e shpëtimit të Republikës.
Nëse kthehemi prapa, ishin pikërisht deputetët e LDK-së, ata që morën vëmendjen e gazetarëve, pasi shfuqizimi i Gjykatës u pamundësua atë natë.
Haziri ka shpjeguar se për kë e pati specifikisht, a po fliste për bashkëpartiakët e tij dhe kush e shpëtoi në të vërtetë vendin natën, që sipas ambasadorit britanik, mund të ishte më e rrezikshmja për Kosovën që pas luftës.
“Pati grupe politike që dolën atë natë me iniciativën mbi krejt zhvillimin por edhe mbi realitetin. Duke qenë kundërshtues të flaktë të Gjykatës Speciale nga njëra anë dhe duke e kushtëzu republikën anën tjetër, tregojnë qartë se po bëhet lojë me republikën”.
A i sulmoi tërthorazi Haziri bashkëpartiakët, që të premten prononcoheshin për media e flisnin “për shpëtim të shtetësisë së Kosovës”?
Nënkryetari i LDK-së thotë se është i bindur që shfuqizimin e Speciales e ndalën ambasadori i SHBA-së dhe ai britanik, ndërsa pohon se partia e tij pati vetëm një rol: iu bind ambasadave të huaja.
“Definitivisht mund të them me plot bindjen time, se iniciativa atë natë është pengu falë ndërhyrjes së dy partnerëve më të mëdhenj të Kosovës; Amerika dhe Britania e Madhe, ndërsa LDK-ja është sjellë unike konform kësaj kërkese për mos me mundësu kuorumin”, tha ai.
Sipas Hazirit, nuk pati triumfalizma atë natë, edhe pse triumfalisht deklaroheshin disa nga Grupi Parlamentar i LDK-së, si Avdullah Hoti, Vjosa Osmani, Mimoza Kusari e edhe të tjerë.
“Nuk ka të bëjë me triumfalizma këtu dhe me sjellje të tilla sepse vetëm e kanë kryer një detyrë të dhënë, kurrgjë më shumë”.
Ndërkaq, Haziri ka folur edhe për rolin e Vetëvendosjes atë natë dhe qëndrimin e kësaj partie në përgjithësi për Gjykatën Speciale.
“Vetëvendosja, ata edhe sot janë kundër Gjykatë Speciale, ata janë shfehë prapa shpinës së LDK-së për t’u taku me dy ambasadorët”.
“Në anën tjetër e kanë kushtëzu Republikën me ndryshime kushtetuese, që është shumë e rrezikshme, edhe më e rrezikshme se iniciativa e atyre deputetëve që e morën këtë detyrë me porosi”, ka përfunduar Haziri.